Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.
Në takim, Presidentja Osmani falënderoi ambasadorin Weidinger për përpjekjet e tij të vazhduara për forcimin e partneritetit në mes të Kosovës dhe Austrisë, mbështetjes për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme përmes projekteve dhe iniciativave të ndryshme, të cilat kanë afruar edhe më shumë qytetarët e vendeve tona.
Presidentja ka ritheksuar se Austria mbetet aleat i rëndësishëm i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, mbështetja e të cilës ka qenë e rëndësishme në hapa të ndryshëm të historisë sonë, si dhe për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë. Presidentja ka folur edhe për vizitën e parë zyrtare bilaterale në mandatin e saj si Presidente e Republikës në Republikën e Austrisë, me ç’rast theksoi se kjo vizitë ka qenë rikonfirmim i vullnetit të përbashkët për ta thelluar tutje partneritetin në mes të dy vendeve tona.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Weidinger biseduan edhe për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon, me ç’rast Presidentja Osmani potencoi vullnetin e institucioneve për tejkalimin e situatës aktuale në koordinim me aleatët e Republikës.