Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Lehonat në Klinikën e Gjinekologjisë ankohen për mungesë të klimatizimit

 
   

Në klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, në dhomat e lehonave nuk ka fare klimatizim. Drejtuesi i kësaj klinike ka konfirmuar se në dhomat e lehonave nuk ka kondicionerë e as klimatizim, derisa ka shtuar se janë duke punuar në një projekt që do të përmirësojë infrastrukturën në disa reparte të kësaj klinike.

Të vetmin mjet për ta zbutur vapën e madhe e kanë një pajisje elektrike. Dhomat ku qëndrojnë nënat lehona në Klinikën e Gjinekologjisë, në Prishtinë, nuk kanë asnjë pajisje tjetër për të freskuar dhomat, derisa këto dhoma nuk posedojnë as kondicionerë e as klimatizim qendror.

Nënat, të cilat nuk pranuan të flasin para kamerave, thonë se gjendja në këtë klinikë nuk është aspak e mirë, përderisa shtojnë se kjo gjendje është qëkur edhe janë rritur temperaturat në vend.

Se ka probleme në këtë drejtim e pranon edhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.

“Në Klinikën e Gjinekologjisë, në salla të operacionit është i vendosur dhe funksionon klimatizimi  qendror, ndërsa në sallat e lindjes ka të vendosur kondicionerë në secilin boks të lindjes. Ndonjëherë, për shkak të ngarkesës me lindje dhe punës së tepërt, ndodh ndonjë të ketë edhe defekte, të cilat shpejt riparohen. Në dhoma të qëndrimit të pacientëve shtatzëna, për momentin nuk ka kondicionerë, mirëpo jemi në fund të projektit dhe fillimin e punimeve në përmirësimin e infrastrukturës në disa reparte të shtatzënave dhe lehonave, ku edhe do të ketë klimatizim qendror”, thuhet në përgjigjen e drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë.

Ndërkohë, nga Ministria e Shëndetësisë i kanë thënë RTK-së, përmes telefonit, se kjo çështje i takon Shërbimit Spitalor, pasi menaxhimi i klinikave është në përgjegjësitë tij.