Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm (26 korrik), në aksin Vorë-Fushë-Krujë.
Një automjet tip Mercedes Benz, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me mbrojtësen metalike anësore, e cila ka hyrë në xhamin e përparmë, nga ana e shoferit, duke e ndarë makinën përgjysmë.
Nga aksidenti i rëndë ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit, 23-vjeçari Indrit Mahmuti.
I riu mësohet se ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar në Spitalin e Traumës me fraktura në kokë.
Ngjarja ndodhi rreth ores 02:00 pas mesnate në afërsi të fshatit Hasan.
Shkak i aksidentit sipas policisë është shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte 23-vjeçari.
Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë të riun nga mjeti.