Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

KMDLNj: 16 milionë euro për çlirimtarët në Hagë qenkan shumë, e qindra milionë për rrymën në veri nuk përmenden

 
   

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me shpenzimet që bëhen për të siguruar mbrojtje ligjore apo për të mbështetur familjet gjatë vizitave në Hagë, ku vazhdojnë të mbahen ish-krerët e UÇK-së.

KDMLNj thekson se 16 milionë euro për çlirimtarët qenkan shumë, gjersa qindra milionë për rrymën në veri nuk përmenden.

Lexoni të plotë postimin, pa ndërhyrje:

Në Burgun e Gjykatës Raciste Speciale në Hagë po mbahen peng tetë shtetas të Kosovës, të gjithë shqiptarë. Salih Mustafa, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati janë dënuar me dënime kapitale–drakonike gjë që nuk e ka bërë një diversion të tillë juridik as Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish Jugosllavinë në Hagë i cili ka qenë shumë më i ekuilibruar, si gjatë arrestimeve e, në veçanti gjatë shqiptimit të dënimeve.

Ndërsa, sa i përket trajtimit të personave të privuar nga liria, Tribunali i Hagës ka qenë Akademi e respektimit të të drejtave të njeriut krahasuar me Gjykatën Speciale Raciste. Shtetasit e Kosovës janë kidnapuar – arrestuar në Kosovë dhe Belgjikë dhe, përkundër vullnetit të tyre janë dërguar në Hagë, që, për familjet e tyre, sidomos për të moshuarit dhe fëmijët paraqet vështirësi t’i vizitojnë.

Fillimisht kishin probleme të natyrës burokratike të pajisen me viza afatgjata, vendosje si dhe probleme tjera gjatë udhëtimit. Vizitat “humanitare“ për të burgosurit ishin skajshmërisht degraduese, refuzoheshin pa ndonjë arsye dhe shkelnin të drejtat elementare të personave të privuar nga liria duke ua mohuar mbajtjen e vazhdimësisë së rregullt me familje dhe duke ua rrezikuar mjedisin social që është njëri ndër kushtet themelore për ruajtjen e shëndetit mendor dhe fizik.

Deri më tani pengjet e Kosovës që po mbahen në Hagë janë mbështetur, qoftë për të siguruar mbrojtje ligjore apo për të mbështetur familjet gjatë vizitave me më shumë se 16 milionë euro e që, kohë pas kohe përsëritet nga MD –së dhe nga kryeministri Kurti thuaja që e kanë bërë dhe po e bëjnë një sakrificë nga xhepi i tyre e jo që është detyrim shtetëror që është rregulluar me ligj.

Realisht, shteti i Kosovës ka detyrim ndaj cilitdo shtetas të Kosovës që mbahet në burgjet e shteteve tjera, qoftë duke siguruar asistencë ligjore apo duke përkrahur familjet nëse ato nuk kanë mundësi materiale. Kroacia, vetëm për mbrojtjen e gjeneralit Ante Gotovina ka ndarë 33 milionë euro dhe asnjëherë dhe askush nuk e ka kundërshtuar këtë vendim të shtetit kroat.

Ndërkaq, në Kosovë edhe para se të votohej Ligji për Mbështetje të të akuzuarve dhe të dënuarve nga Gjykata Raciste Speciale në Hagë, kishte kundërshtime nga një pjesë e së ashtuquajturës shoqëri civile dhe nga opozita që tradicionalisht ishin kundër luftës dhe kundër UÇK-së. Edhe së voni dëgjoheshin zëra, si nga burimet e vjetra ashtu edhe nga pozita që duhet të rishqyrtohet përkrahja materiale e personave që po mbahen peng në Hagë, të gjithë shqiptarë dhe shtetas të Kosovës dhe, po të mos ishte detyrimi ligjor që del nga Ligji përkatës, të privuarit nga liria do të mbeteshin pa përkrahje ligjore sikur që familjarët nuk do të kishin mundësi t’i vizitojnë anëtarët e familjeve të tyre. Nuk kanë asnjë përgjegjësi familjarët pse ua kanë dërguar familjarët e burgosur aq larg por shteti ka përgjegjësi të sigurojë të gjitha kushtet që ata të vizitohen rregullisht, pa iu vënë asnjë pengesë materiale e as ligjore.

Ose duhet të angazhohet që të dënuarit të kthehen në vuajtje të dënimit në Kosovë, nëse thuhet se Gjykata Speciale është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës. Realisht, përgjegjësia kryesore është e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nuk kanë guxim qytetar e as profesional të reagojnë për shkeljet e mëdha të të drejtave të njeriut të pengjeve të Hagës sikur edhe të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie nga kjo Gjykatë e jo që gjykimi të mbahet në terr informativ duke ofruar informata selektive e që janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe një procesi të drejtë, të paanshëm dhe transparent.

Gjykimi i deritashëm ndaj Hashim Thaçit, president, Jakup Krasniqit, kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Rexhep Selimit, kryetar i GP të VV-së ka qenë thuaja krejtësisht i mbyllur për publikun, me një fjalë ka qenë dhe mbetet një proces gjyqësor i privatizuar nga kryeprokurori i Speciales, kryetari i trupit gjykues dhe bosja e gjykatës, Ekaterina Trandafilova.

As procesi e sidomos trajtimi i personave të privuar nga liria nuk monitorohet nga ndonjë organizatë apo institucion i pavarur për të drejtat e njeriut përveç se bëhet monitorimi nga distanca.

Ky është rasti i parë i mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, madje edhe Gjykata në Nyremberg në Gjermani pas përfundimit të luftës së dytë botërore ka qenë më transparente.

Deklaratat nga MD dhe kryeministri për shpenzimin e 16 milionë eurove për 8 të akuzuar dhe të dënuar dhe familjet e tyre paraqet një bizantinizëm perfid aq më parë që në të njëjtën kohë e heshtin faktin se për rrymën e serbëve dhe të tjerëve në veri të Kosovës, shërbimet tjera dhe rrogat që paguajnë për vite për strukturat e “integruara“ paralele, që nga përfundimi i luftës paguajnë me dhjetëra miliona euro gjatë një viti kalendarik.

Krahasoni tash 16 milionë që paguhen për ata që e bënë luftën, e sollën lirinë, e shpallën pavarësinë dhe e bënë shtetin, me qindra milionë euro të shpenzuara për rrymën dhe shërbime të tjera si dhe paga për ata që e luftuan Kosovën, ishin kundër lirisë, ishin kundër pavarësisë, ishin kundër shtetit dhe me çdo kusht duan ta shkatërrojnë shtetin. Nuk është asgjë tjetër përveç se është poshtërsi dhe manipulim!.