Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se janë të interesuar që sa më parë të ketë zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore të vendit. Ai theksoi se presin që sa më shpejt të hiqen edhe masat kushtëzuese ndaj Kosovës.
Këto komente shefi i Qeverisë së Kosovës i bëri në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë, ku u shpreh se nuk beson që ndokush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të zhvillohen zgjedhje në veri të Kosovës.
Kurti: Masat apo kushtëzimet presim të hiqen sa më parë
“Pra se si duhet të zbatohen kriteret e qëndrimit të BE-së janë dakorduar këta dy dhe kanë arritur një marrëveshje dhe kjo marrëveshje duhet zbatuar, kemi një dakordim midis Bislimit dhe Lajçakut, kjo duhet zbatuar. Dhe kjo ka të bëjë me deeskalimin, unë nuk besoj që ndokush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të kemi zgjedhje në veri, por ne natyrisht e vazhdojmë punën atje. Ne jemi duke u përgatitur që të kemi zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës. Ndërkaq, për këto masat që janë ndërmarrë ndaj neve e të cilat janë quajtur edhe të përkohshme edhe të kthyeshme natyrisht që presim që ato të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo do të ndodhë paraprakisht. Pra, nuk bëhet fjalë për kushtëzime, por bëhet fjalë për rendin logjik të gjërave që duhet ta ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit dhe Lajçak për 3 qershorin”, theksoi ai.
Kryeministri Kurti u shpreh i interesuar që sa më parë të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore.
Ai theksoi se si ekzekutiv po punojnë që ndërprerja e mandateve të kryetarëve të komunave të ketë mbështetje ligjore dhe procedurale.
Kurti: Jemi të interesuar që sa më parë të ketë zgjedhje të parakohshme në komunat veriore
“Ne jemi të interesuar që zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës të ketë sa më parë, pra dëshirojmë që procesi dhe procedura të shkojnë sa më shpejt por, duhet ta kuptoni se kjo çka do të ndodhë është jashtë përvojë sonë institucionale, ne çfarë po punojmë edhe këto ditë dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë muajit të gushtit është që të sigurohemi se kjo përvojë e re që do ta kemi me ndërprerjen e mandateve të katër kryetarëve në veri të ketë mbështetjen ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i këtillë që do jetë përvojë e re për neve, do të jetë aq i sigurtë sa që i pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik. Nuk e di sa kohë merr, por si vullnet politik nga qeveria e Kosovës jam i interesuar që sa më parë dhe sa më shpejt”, theksoi ai.
Shefi i ekzekutivit kosovar përgëzoi për vullnetin policët e rinj të komunitet serb që tashmë janë angazhuar në Policinë e Kosovës, derisa tha se faktori ndërkombëtar duhet të jetë më i zëshëm ndaj trysnisë së Beogradit kundër integrimit të serbëve.
Kurti: Faktori ndërkombëtar të jetë më i zëshëm ndaj trysnive të Beogradit
“I përgëzoj për kurajon e tyre për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe vullnetin e tyre për t’i shërbyer rendit dhe sigurisë në vend, sidomos 46 policitë e rinj nga komuniteti serb. Fushatën, kanalet e platformat sociale që ka për qëllim kërcënimin e frikësimin e tyre janë të papranueshme për ne edhe pse jam i bindur se janë krejtësisht të shpërfillura prej vetë tyre…..Faktori ndërkombëtar duhet të dënoj zëshëm çfarëdo fushate të organizuar linçimi dhe kërcënimi ndaj policëve nga komuniteti jo shumicë. Në të njëjtën kohë, duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit mbi komunitetin serb që synim kanë parandalimin e integrimit të plotë të tyre në jetën institucionale të Kosovës”, theksoi ai.
Në pyetjen se pse nuk i ka takuar të gjithë kryetarët e katër komunave veriore, Kurti tha se mund t’i takojë, por shtoi se nuk e di sa do të ishte i këndshëm takimi, meqë se kur i takon njerëzit u kërkon të shkojnë në punë.
Kurti: Nuk është problemi a ka takim a s’ka takim, problemi është që unë them me shkua në punë
“Sa i përket kryetarëve të komunave në veri që unë i njoh ata, i kam takuar, jo të gjithë. Në një prej pritjeve e kam takuar edhe kryetarin e Komunës së Zvecanit. Mund t’i takoj, por nuk e di sa është i këndshëm takimi me mua, sepse kur takohen njerëzit me mua iu them shkoni në punë, jo mos shkoni në punë. Takimi me mua, nuk është problemi a ka takim a s’ka takim, problemi është që unë them me shkua në punë, se po të hecë rroga. Kur të hecë rroga duhesh me dalë në punë. Këtu është ndoshta një lloj vështirësie edhe dallimin me kryetarin e partisë që ka zhvilluar takim të këndshëm”, tha Kurti.
Lidhur me lirimin e të dyshuarve për sulmet në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk di detaje e hollësi për këto vendimi, por nuk është i kënaqur me punën e Prokurorisë.
Kreu i Qeverisë së Kosovës këshilloi gazetarët që përgjigjet për këtë çështje t’i marrin nga Prokuroria e Kosovës.
Kurti: Nuk jam i kënaqur me Prokurorinë
“Sa i përket lirimit të të pandehurve që janë mbajtur në paraburgim e disa janë liruar në arrest shtëpiak unë nuk e kam parasysh hollësitë e lëndëve të veçanta dhe as detajet se qysh është marr vendimi i tillë. Natyrisht ju e dini që në përgjithësi me prokurorinë unë nuk jam i kënaqur, besoj që kanë treguar një lloj pasiviteti konstant, po ashtu nga numri i madh i informacionit dhe kallëzimeve penale edhe i denoncimeve që kanë marr nga të gjitha institucionet e shtetit jo vetëm ministritë por edhe agjencisë shtetërore, por edhe qytetarët është shumë i madh numri i lëndëve, të cilat kanë shpejtësi të ulët ose ngecje të plotë, e po ashtu nuk mund të them se kam bindjen për korrektësi të duhur sa i përket përzgjedhjes së lëndëve të bëhen”, theksoi Kurti.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në konferencë për media deklaroi se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.
Krasniqi: Zgjedhjet mund të bëhen me kërkesë të qytetarëve përmes peticionit
“Kjo mund të bëhet edhe përmes kërkesës së qytetarëve përmes një peticioni ku në të duhet të marrin pjesë së paku 20% e trupës votuesve në atë komunë. Pastaj, kjo i dërgohet KQZ-së për verifikim dhe pastaj KQZ mund ta organizoj referendumin…dhe në këtë situatë duhet të marrin pjesë së paku 50% e trupës votuese të asaj komune. Kjo është baza ligjore që del nga ligji për vetëqeverisje lokale dhe mbi të cilën unë kam kompetencë të plotë“, u shpreh Krasniqi.
Sa i përket hetimeve të bëra nga task-forca për disa ministra të qeverisë Kurti, vetë ai tha se nuk ka informacion për to.
Kurti: Nuk jam i informuar për këto hetime
“Unë nuk jam i informuar për këto hetimet që po thuhet se po bëhen nga task-forca”, tha ai.
Ndërsa, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se deri sot nuk ka pranuar asnjë ftesë nga asnjë organ hetues që të intervistohet.