Në vazhdën e takimeve në atë që e ka quajtur “Rruga e re”, sot Lidhja Demokratike e Kosovës organizon takimin e radhës.
Në këtë takim kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të takojë përfaqësues të bizneseve kosovare.
Takimi pritet të nis në ora 17:00.
“Ky takim do të mbledhë një numër të madh të përfaqësuesve të bizneseve kosovare. Takimi me biznese vjen pas një vargu të suksesshëm takimesh të mbajtura nga kryetari i LDK-së, z. Lumir Adbixhiku, me opinionistë dhe gazetarë, organizata të shoqërisë civile, dhe ligjërues universitarë.
“Rruga e Re”, ka lindur si ide nga takimet e deritanishme dhe synon të çojë Kosovën drejt një të ardhmeje të ndritur, duke dalë nga kriza aktuale”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Para pak ditësh, Abdixhiku i ka takuar gazetarë dhe analistët e përfaqësues të shoqërisë civile.
Abdixhiku paralajmëroi se do të ketë takim edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai tha se LDK nuk do që qëndrojë duarkryq karshi zhvillimeve të fundit.
“Kosova nuk mund të jetë peng e një ideologjie, por ka njerëz që i dalin zot”, u shpreh ndër të tjera ai.
Abdixhiku në fillim të muajit të kaluar kishte njoftuar për iniciativën e tij për angazhim mbipartiak për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese, siç e quan ai kundër politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historik të saj.
Sipas tij, këtë iniciativë ai e ka marrë që në javën e kaluar me qëllim të nisjes së artikulimit të një mendimi të përbashkët shoqëror për një rrugë të re për Republikën e Kosovës.
Abdixhiku, kishte thënë se Kosova ka nevojë për “një rruge të re, pa Albin Kurtin”.
Për këtë rrugë, ai ka thënë se kanë marrë mbështetje të madhe nga akterët e ftuar.