Policia e Kosovës ka bërë edhe një sqarim pas qarkullimit të disa emaileve me dokumente të falsifikuara me pretendimin që janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda policisë. PK sqaron se dokumentet e tilla nuk janë lëshuar nga ky institucion.
Policia ka bërë publike këto emaile me qëllim të sqarimit të opinionit derisa ka bërë të ditur se ka filluar hetimet intensive lidhur me këtë rast.
“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mailave/dokumenteve të tilla, dhe vazhdimin e shpërndarjes së tyre, me kohë ka filluar hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Lidhur me shpërndarjen e emaileve false, Policia e Kosovës kishte reaguar edhe me 17 korrik duke sqaruar se të njëjtat nuk janë dokumente zyrtare.
Në këto dokumente, sipas policisë, ka pasur logo të PK-së, logo qeveritare, vula të ndryshme e mbishkrim të EUROPOL-it, dhe kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate.
“Siç e kemi theksuar në sqarimin e parë, tani edhe në sqarimin e dytë e ri-theksojmë se, në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, janë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe logot e ndryshme, por se ri potencojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të PK-së, si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës”, është theksuar në njoftimin e Policisë.
Policia ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave dhe nëse dikush pranon emaile të tilla, ta adresojë çështjen në adresën zyrtare të PK-së