Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Avokati i Popullit: Qeveria nuk mund të marrë vendim që lidhet me licencimin e medieve

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, duke iu referuar rastit Klan Kosova, ka thënë së Qeveria nuk mund të marrë vendim që lidhet me mediat dhe transmetimin e tyre publik.

Ai tha se janë mekanizma të tjerë kushtetues të cilët vendosin për licencimin e mediave dhe punën e tyre.

“ Unë nuk dua të lëshohem në aspektin e vlerësimit të vendimit për arsyeje se nuk e kam parë këtë vendim dhe nuk kam pranuar asnjë ankesë apo reagim nga asnjëra prej palëve  në lidhje me kërkesën për një opinion nga ana ime. Megjithatë unë ditë më parë kam dalë me një komunikatë, qëndrim apo opinion të avokatit të popullit në lidhje me lirinë e shprehjes, lirinë e mediave dhe të them më qartë se mekanizmat që garantojmë lirinë e mediave në Republikën e Kosovës, duke aluduar dhe konstatuar më të drejtë mbi bazë të mandatit që kam si avokat i popullit, që Kosova ka ndërtuar një mekanizëm kushtetueso-ligjore të fuqishëm që garanton në çdo formë lirinë e medias dhe ka vendosur mekanizma të tillë që i pamundësojnë qeverisë dhe ekzekutivit që me marrë vendim që lidhet me mediat, transmetimin publik të tyre dhe punën e mediave. Janë mekanizma të tjerë kushtetues të cilët vendosin për licencimin e mediave dhe punën e tyre është fjala për Komisionin e Pavarur të Mediave”, tha Qelaj në Tëvë1.

Qelaj po ashtu tha se këto vendime mund të ‘sulmohen” me mjetë juridike.

“Në anën tjetër vendimet e autoriteteve publike, që nxirren nga administrata shtatore në këtë rast nga çfarëdo niveli, qoftë agjenci apo ministrie, kanë procedurat e mjeteve juridike, mund të sulmohen me këto mjete, pastaj ka edhe mbrojtje gjyqësore, mund të ushtrohet edhe padi në gjykatë përmes konfliktit administrative kundër vendimeve të administratës publike, por e fundit si instancë është edhe institucioni i Avokatit të Popullit…”, shtoi ai.