Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në tregun punës, e karakterizuar një shkallë të lartë të papunësisë, ekonomia joformale e konsiderueshme dhe pabarazia në politikat dhe praktikat e punës. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për “Klimën e Investimeve 2023” hedh dritë mbi shkallën e papunësisë në vend, sektorin informal, ligjet e punës dhe gjendjen e sindikatave.
Një nga pengesat kryesore që pengon përparimin ekonomik të Kosovës konsiderohet të jetë mbizotërimi i ekonomisë së joformale. Një raport i BE-së i vitit 2017 vlerësoi se tregu informal dhe i paligjshëm përbën rretg 32 për qind të PBB-së së vendit, thuhet në raport. “Nuk ka statistika të besueshme për ekonominë joformale të Kosovës, por një raport i komisionuar nga BE-ja i vitit 2017 vlerësoi tregun joformal dhe të paligjshëm në 32 për qind të PBB-së.” – thuhet aty.
Informaliteti ekonomik në Kosovë është veçanërisht i dukshëm në sektorët kyç si bujqësia, ndërtimi dhe shitja me pakicë, vlerëson raporti. Bizneset joformale dominojnë këto industri dhe shpesh marrëveshjet joformale dhe verbale kanë më shumë peshë se kontratat formale për shkak të ritmit të ngadaltë të procedurave ligjore. “Bizneset informale mbeten të përhapura në sektorët e bujqësisë, ndërtimit dhe shitjes me pakicë.”, – thuhet në raport.
Papunësi e lartë
Sipas raportit, bazuar në të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gati dy të tretat e popullsisë së vendit bëjnë pjesë në grupin e moshës së punës (15-64 vjeç). Pavarësisht kësaj, Kosova vazhdon të përballet me një shkallë zyrtare shqetësuese të papunësisë prej 20.7 përqind.
Situata është edhe më e rëndë për të rinjtë, me një normë marramendëse të vlerësuar të papunësisë së të rinjve prej 38 përqind, që tregon një sfidë të konsiderueshme në angazhimin e të rinjve në fuqinë punëtore.
“Sipas Agjencisë Statistikore të Kosovës, pothuajse dy të tretat e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh të Kosovës janë në moshë pune (15-64). Shkalla zyrtare e papunësisë është 20.7 për qind. Papunësia e të rinjve vlerësohet në 38 për qind.” – thuhet në raportin e DASh-it bazuar në shifrat e ASK-së.
Moszbatim i Ligjit të Punës
Pavarësisht shumë masave mbrojtëse që parasheh ligji i punës, punëdhënës të sektorit privat anashkalojnë kontratat formale dhe proceset e pagesave, duke zgjedhur të paguajnë punonjësit me para në dorë, gjë që mund të minojë më tej të drejtat e punëtorëve, thekson raporti.
Për më tepër, dallimi midis pushimeve nga puna dhe shkarkimit në Ligjin e Punës do të thotë se pagesa e largimit është e mandatuar vetëm për punëtorët e pushuar nga puna kur një përqindje e caktuar e punonjësve shkarkohen kolektivisht. Kjo dispozitë potencialisht i lë punonjësit e tjerë të cenueshëm ndaj ndërprerjeve të papritura pa kompensim adekuat.
“Për shkak të informalitetit të përhapur dhe ritmit të ngadaltë të gjykatave, marrëveshjet joformale dhe verbale shpesh kanë më shumë rëndësi sesa marrëveshjet dhe kontratat formale. Punëdhënësit e sektorit privat shpesh bëjnë një praktikë të mos sigurojnë kontrata për punonjësit e tyre dhe t’i paguajnë ata me para në dorë. Në sektorin publik, punëdhënësit nganjëherë punësojnë punonjës si punëtorë me kontratë dhe i regjistrojnë në listën e rregullt të pagave kur të bëhet i disponueshëm buxheti për paga”, – thuhet më në raport.
Raporti thekson më tej se sindikatat, edhe pse ligjërisht të pavarura, janë shpesh të lidhura ngushtë me partitë politike, duke shtuar kompleksitin e problemeve.
“Sindikatat janë të pavarura me ligj, por në praktikë, shumë prej tyre janë të lidhura ngushtë me partitë politike,” – thuhet aty më tej.