Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zelensky pas sulmit me dronë në Moskë: Lufta po kthehet në territorin e Rusisë

Presidenti i Ukrainës Volodymr Zelensky ka paralajmëruar se lufta po shkon në Rusi pas një sulmi me dronë në orët e para të mëngjesit në Moskë.

Zelensky tha se sulmet në territorin rus ishin një “proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë” i luftës midis dy vendeve.

“Sot është dita e 522-të e të ashtuquajturit ‘Operacion Special Ushtarak’, për të cilin udhëheqja ruse mendoi se do të zgjaste disa javë… Gradualisht, lufta po kthehet në territorin e Rusisë – në qendrat e saj simbolike dhe bazat ushtarake, dhe ky është një proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë”, ka thënë Zelensky.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se tre drone ukrainas u rrëzuan të dielën, ndërsa dy u përplasën në një ndërtesë ku kishte disa zyra.

Aeroporti Vnukovo, në jugperëndim të qendrës së qytetit, u mbyll gjithashtu për pak kohë.

Kryetari i bashkisë së qytetit Sergei Sobyanin tha se fasadat e dy ndërtesave të zyrave ishin dëmtuar lehtë.

Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë se në cep të ndërtesave janë dëmtuar disa xhama, me mbeturina të shpërndara në tokë poshtë, shkruan BBC.