Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, apeloi sot prokurorët dhe gjyqtarët që të zbatojnë rreptësisht ligjin në rastet e zjarrvënies.
Ai gjithashtu përgëzoi Policinë e Shtetit për punën e saj për zbulimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënies në pyje, ullishta e zona të gjelbra.
Rama theksoi se, në 79 raste zjarrëvënieje gjatë këtij viti janë zbardhur 55, me 62 autorë të proceduar penalisht.
“Policia e Shtetit po bën një punë të admirueshme për zbulimin dhe kapjen e autorëve të krimit të tmerrshëm të zjarrvënies në pyje, ullishta e zona të gjelbra. Në 79 raste zjarrëvënieje gjatë këtij viti janë zbardhur 55, me 62 autorë të proceduar penalisht”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje nga lufta e zjarrfikësve me zjarret.
“20 zjarrvënës janë në arrest me burg, ndërsa të tjerët ndiqen në gjendje të lirë, por ende mungon ndëshkueshmëria e plotë, si pasojë e qasjes skandaloze dhe paturpësisht të papërgjegjshme të disa prokurorëve e gjykatësve nëpër rrethe, të cilët mesa duket s’ka atdhe, s’ka fe, s’ka din e as iman, që i frenon në krimin e tyre të indiferencës antiligjore ndaj një krimi si zjarrvënia mbi një pasuri kaq të vyer, që është e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, po edhe e mbarë njerëzimit”, u shpreh Rama.
“Me ndryshimet që i kemi bërë vitet e fundit Kodit Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg dhe në tasin e kësaj fare të keqe prokurorësh pa atdhe, ka deri edhe disa syresh që gjatë viteve të shkuara kanë shpallur deri mosfillimin fare të çështjes penale për zjarrvënësit”, theksoi kreu i qeverisë.
“U bëj apel organeve të inspektimit të drejtësisë dhe mbikëqyrjes së veprimtarisë së prokurorëve e gjykatësve, që të mos bëjnë sehir karshi këtyre individëve të padenjë për t’i shërbyer ligjit të Republikës së Shqipërisë”, nënvizoi Rama.
“U bëj gjithashtu apel prokurorëve dhe gjykatësve që kanë në duar rastet e lartpërmendura, që të zbatojnë rreptësisht ligjin dhe t’i dalin për Zot kësaj pasurie të vënë në breza, e cila u takon brezave të ardhshëm, po edhe krejt njerëzimit”, përfundoi Rama.