Një i mbijetuar i masakrës së Izbicës është dëgjuar sot në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatën e Prishtinës në gjykimin kundër Muhamet Alidemajt, i cili akuzohet për krime lufte ndaj popullatës civile.
Dëshmitari M.T. rrëfeu para Gjykatës se çfarë kishte përjetuar më 28 mars të vitit 1999 në Izbicë, dëshmi të cilën e dha edhe para Gjykatës së Hagës në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit.
M.T. deklaroi se në ditën kritike, forcat serbe ishin futur në Izbicë, ku fillimisht i kishin ndarë burrat nga gratë e më pas burrat i kishin ndarë në katër grupe.
“Unë ngadalë e kam kthye kokën dhe i kam numëru grupin tonë që kishim qenë 33 vetë dhe na kanë dërguar buzë malit, na ka urdhëruar të kthehemi në të majtë, të ulemi në gjunjë të gjithë dhe nga lart na kanë sulmuar me mitraloz dhe kanë mbetë të vdekur 30 vetë në vend. Vetëm 3 kemi shpëtu, unë, J.Q. dhe Sh.K. Zoti mua më ka shpëtu për me kallxu për këto viktima që kanë mbetur aty” – tha dëshmitari.
“Unë i kam pasur dy trupa të pajetë dhe ashtu i kam mbajtur 40 minuta. Unë deri sa kam qenë i shtrirë nën dy kufoma, e kam dëgjuar një pjesëtar të forcave serbe duke thënë ende po merrka frymë dhe përsëri ka gjuajtur me armë zjarri” – shtoi tutje M.T.
“Një kushëri i imi ka qenë i gjymtë në dorë, e ka pasë një vajzë të vogël 4-vjeç edhe një polic serb e ka marrë prej dy duarve dhe e ka gjuajtur sa ka mundur, mbi 4 metra nga ai kushëriri që e kishte për dore, dhe çika ka mbetur si e vdekur. Kurse këtij i kanë ra me kondak pushke” – rrëfeu dëshmitari lidhur me atë se çfarë kishte parë atë ditë.
Më tutje dëshmitari rrëfeu se edhe grupin e dytë e kanë dërguar në livadh dhe asnjëri nga ai grup nuk kishte mbetur i gjallë.
Ndërsa, për grupin e tretë rrëfeu se kishte shpëtuar vetëm një person me inicialet H.K.
Sipas dëshmitarit, i njëjti ishte habitur dhe kishte vrapuar edhe pasi që trupat serbe i kishin thënë të ndalojë e më pas e kishin gjuajtur me armë zjarri në ballë duke e lënë të vdekur.
Gjatë rrëfimit të tij, dëshmitarin e kapluan edhe lotët në momentin kur tregoi për faktin se më 10 maj forcat serbe i kishin vrarë 12 fëmijë të fshatit.
Ndërsa, kur u pyet nga Dejan Vasiq, avokat i të pandehurit, nëse e njihte këtë të fundit, dëshmitari tha se nuk e njihte fare.
Dëshmitari rrëfeu edhe lidhur me varrosjen e kufomave të të vrarëve në masakër.
“Ia nisëm me i hapë varrezat dhe as s’kemi pasë dërrasa, por secili i pranishëm i merrke kufomat e veta dhe i kemi varrosë 145 kufoma për një ditë. Dy na kanë mbetë. Një fshatar i Izbicës e lëshoi pronën e tij – livadhin për varreza të këtyre viktimave” – tha dëshmitari.
Në këtë rast trupi gjykues përbëhet nga Vesel Ismaili – kryetar, dhe Suzana Qerkini e Violeta Namani anëtare.
Seancat e radhës u caktuan për më 5 tetor e 9 nëntor, kur pritet të dëgjohen dëshmitarë të tjerë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale – krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës.
I njëjti sipas aktakuzës më 28 mars 1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për t’u nisur në drejtim të fshatit Izbicë, me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës Xh.O., ku nga kjo e fundit morën shumën prej 1,000 marka gjermane e më pas i vunë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcënim të armës të njëjtën e kanë detyruar që t’i prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.
Tutje Alidemaj së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe shkojnë te livadhi ku ishte të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, duke ndarë gratë dhe fëmijët nën moshën 12-vjeç nga burrat dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në Shqipëri.
Ndërsa burrat i ndajnë në grupe dhe i ekzekutojnë me armë automatike, duke vrarë rreth 130 persona, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12 civilë.
Dy muaj pas këtij veprimi i akuzuari së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave serbe u kthye përsëri në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur.
Ndërsa pas përfundimit të luftës, trupat u gjetën në varrezat masive të Batajnicës, në Serbi.