Deputetët e Vetëvendosjes në qershor të vitit 2021 kishin votuar pro shkarkimit të Bordit të RTK-së.
Ky veprim ishte konsideruar politik, antiligjor duke theksuar ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik.
Kështu vendimi ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Të martën, Kushtetuesja ka vendosur të konstatojë që (i) Vendimi [nr.08-V-036] i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; dhe (ii) konstatimi i lartcekur, përkatësisht Aktgjykimi i Gjykatës, nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta.
Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të transmetuesit publik, përkatësisht Bordit të RTK-së, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 8 korrik 2021. Siç sqarohet detajisht në Aktgjykimin që do të publikohet, shkarkimit kolektiv i Bordit të RTK-së, anëtarët e të cilit ishin zgjedhur në vitin 2018 dhe 2020, respektivisht, i kishte paraprirë shqyrtimi i Raportit Vjetor të RTK-së për vitin 2020 në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal dhe në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, të cilët pas shqyrtimit të të njëjtit, i kishin rekomanduar Kuvendit që (i) të refuzojë miratimin e Raportit të Vjetor për vitin 2020 të RTK-së; dhe (ii) mbi bazën e “paaftësisë profesionale” të shkarkojë të gjithë anëtarët e Bordit të RTK-së. Kuvendi i Republikës së Kosovës, në të njëjtën seancë, përkatësisht atë të 8 korrikut 2021, kishte refuzuar miratimin e Raportit Vjetor të RTK-së dhe kishte shkarkuar të gjithë anëtarët e Bordit të RTK-së.
Bazuar në të lartcekurat dhe shtjellimet tjera në Aktgjykim, Gjykata konstaton që në shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së, përkatësisht shkarkimin kolektiv të bordit të transmetuesit publik për “paaftësi profesionale”, të konstatuar përmes shqyrtimit të Raportit Vjetor të RTK-së për vitin 2020, Kuvendi ka vepruar pa bazë ligjore në kontekst të shkarkimit të Bordit në tërësinë e tij, si pasojë e refuzimit të raportit përkatës vjetor dhe rrjedhimisht, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për RTK-në. Për pasojë, në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar, Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse të përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës dhe për më tepër, ka cenuar pavarësinë e transmetuesit publikë, roli i të cilit është thelbësor për lirinë edhe pluralizmin e medieve në një shoqëri demokratike, në kundërshtim me vlerat e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, në vlerësimin e çështjeve të ngjashme kushtetuese në kontekst të ushtrimit të funksionit të mbikëqyrjes të Kuvendit lidhur me institucionet që i raportojnë të njëjtit në bazë të ligjit, kur ligji i aplikueshëm ka mundësuar shkarkimin e bordeve përkatëse në tërësinë e tyre dhe rrjedhimisht, Kuvendi ka vepruar në përputhje me autorizimet ligjore, siç është rasti i Gjykatës KO139/21 lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Gjykata nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese. Thënë këtë, legjitimimi kushtetues i një vendimi të Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të bordit të transmetuesit publik në tejkalim të autorizimeve ligjore, do të përbënte një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen e shtetit në pavarësinë dhe autonominë e transmetuesit publik, përfshirë lirinë dhe pluralizmin e medieve në Republikën e Kosovës.
Aktgjykimi gjithashtu thekson që parimi i pavarësisë dhe autonomisë së transmetuesve publikë dhe rrjedhimisht, detyrimi i autoritetit mbikëqyrës për të respektuar të njëjtin, është në baraspeshë me parimin e transparencës dhe llogaridhënies të transmetuesit publik dhe rrjedhimisht, detyrimin përkatës ndaj autoritetit mbikëqyrës, përkatësisht Kuvendit dhe publikut. Anëtarët e bordit të transmetuesit publik, përkatësisht anëtarët e Bordit të RTK-së, i nënshtrohen detyrimeve të Ligjit për RTK-në dhe të gjitha ligjeve të aplikueshme të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe parimeve të llogaridhënies dhe transparencës së plotë ndaj autoritetit mbikëqyrës, në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe instrumente të aplikueshme ndërkombëtare. Konstatimi i Gjykatës përkitazi me Vendimin e kontestuar vë theks në këto parime, duke përfshirë rëndësinë e transmetuesit publik, por edhe detyrimet pozitive të shtetit, përkatësisht Republikës së Kosovës, për të mbrojtur dhe garantuar lirinë dhe pluralizmin e medieve dhe të gjitha garancitë që burojnë nga të drejtat kushtetuese të përcaktuara në kontekst të lirisë së shprehjes dhe të medieve, përfshirë siç është interpretuar nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe përcaktuar nga instrumentet e aplikueshme ndërkombëtare në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi, në fund, sqaron që ky konstatim i Gjykatës nuk ka efekt prapaveprues dhe bazuar në parimin e sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta, përkatësisht anëtarëve të rinj të Bordit të RTK-së, zgjedhja nga Kuvendi e të cilëve nuk është kontestuar para Gjykatës. Për më tepër, Aktgjykimi, duke u referuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, sqaron që Gjykata nuk ka kompetencë për akordimin e kompensimit përkatës kur konstaton shkelje kushtetuese, por që një sqarim i tillë, nuk paragjykon të drejtat e anëtarëve të shkarkuar të Bordit të RTK-së përmes Vendimit të kontestuar të Kuvendit, për të ndjekur procedurat përkatëse para gjykatave të rregullta. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim mospajtues.
Emrat e anëtareve Bordit të shkarkuar të RTK-së: Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.