Gjykata Kushtetuese i është përgjigjur kërkesës së dhjetë deputetëve të Kuvendit, lidhur me vlerësimin e vendimit për shkarkimin e tetë anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Kushtetuesja ka konstatuar se ky vendim është pa bazë ligjore, dhe bie ndesh me dispozitat e Ligjit për RTK-në.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencave që i takojnë me ligj, karshi funksioneve brenda transmetuesit publik.
“Për pasojë, në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar, Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse të përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës dhe për më tepër, ka cenuar pavarësinë e transmetuesit publikë, roli i të cilit është thelbësor për lirinë edhe pluralizmin e medieve në një shoqëri demokratike, në kundërshtim me vlerat e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Kushtetueses, po të pranohej si legjitim ky vendim për shkarkimin e anëtarëve të bordit, atëherë kjo do të përbënte ndërhyrje të shtetit në liri të mediave.
“Thënë këtë, legjitimimi kushtetues i një vendimi të Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të bordit të transmetuesit publik në tejkalim të autorizimeve ligjore, do të përbënte një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen e shtetit në pavarësinë dhe autonominë e transmetuesit publik, përfshirë lirinë dhe pluralizmin e medieve në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje.
“Anëtarët e bordit të transmetuesit publik, përkatësisht anëtarët e Bordit të RTK-së, i nënshtrohen detyrimeve të Ligjit për RTK-në dhe të gjitha ligjeve të aplikueshme të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe parimeve të llogaridhënies dhe transparencës së plotë ndaj autoritetit mbikëqyrës, në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe instrumente të aplikueshme ndërkombëtare”.