Edhe mëngjesin e sotëm qytetarët janë duke u përballur me pritje dhe kolona në pikat kufitare në hyrje-daljet e Kosovës.
Shumica e bashkatdhetarëve tashmë kanë filluar të kthehen në vendet e tyre evropiane, ku ata jetojnë e veprojnë.
Njësoj sikurse ardhja e tyre, edhe tash me kthimin e tyre mërgimtarët janë duke u përballur me pritje e kolona në pikat kufitare.
Raporti
Sipas të dhënave të fundit që Qendra e Menaxhimit Kufitar i ka përditësuar në 07:49, shihet se kolonë e pritje më të madhe ka në pikën kufitare Merdar në dalje të Kosovës.
Aty bashkatdhetarët janë duke pritur deri në një orë e gjysmë.
Pritje ka edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë. Sipas këtyre të dhënave, në këtë pikëkalim pritja është deri në 40 minuta dhe kolona arrin deri në 250 metra.
QMK-ja bën të ditur se nëpër të gjitha pikat e tjera kufitare si në hyrje, ashtu edhe në dalje të Kosovës pritja nuk është më e gjatë se pesë minuta.