Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bilanci tragjik! 27 vrasje në 2023, 10 prej viktimave janë gra

Edhe pse kanë kaluar vetëm 7 muaj që nga nisja e vitit 2023, ngjarjet kriminale nuk kanë munguar në Shqipëri.

Që nga Janari e deri më tani, në vendin tonë janë regjistruar 27 vrasje dhe 10 prej viktimave janë gra.

Ngjarja e parë ndodhi më 27 Janar në Gramsh, ku një 80-vjeçar vrau gruan dhe vëllanë e tij. Autori, Xhevit Sinani vrau me sëpatë bashkëshorten e tij, Zegjine Sinani 74 vjeç dhe të vëllanë, Shaqir Sinani 73 vjeç.

Shkurti ishte pa gra viktima, por marsi pati një bilanc tragjik, sa i përket ngjarjeve kriminale, ku u vranë 8 persona dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur. Mes 8 personave të vrarë 4 ishin gra: së pari më 1 Mars, Dan Hutra vrau Mevlute Hysën, Hasime Dafkun dhe Etleva Kurtin.

Ndërsa më 12 Mars, në një tjetër ngjarje kriminale viktimë mbeti, Mimoza Paja. Kjo e fundit u vra në sytë e mbesës 10 vjeçare, teksa shërbente kafen në një lokal në Don Bosko.

Më 8 prill një 43-vjeçar, Roland Sinani vrau me armë zjarri kunatën e tij Migena Sinani dhe më pas vrau edhe veten. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit në Shkozë të Tiranës.

Më datë 17 Maj, një krim ndodhi në fshatin Kusarth, ku një grua 44-vjeçare, Alma Qevani u godit për vdekje nga kunati Tefik Tashi, 58 vjeç.

Më 3 Qershor, 24-vjeçari Albi Muhollari dyshohet se në gjendje depresive ka mbytur me plastmas nënën e tij Zeniate Muhollari, 65-vjeçe.

Më 29 Korrik, Gjergji Mullalli vrau gruan e tij 46-vjeçare Luiza Mullalli dhe më pas veten e tij.

Ndërkohë ngjarja e fundit ka ndodhur ditën e djeshme, ku 32-vjeçarja Luljeta Preza që dyshohet se punonte si punonjëse seksi u vra me thikë dhe trupi i saj u gjet poshtë urës së “Dajlanit”.