Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas vizitës që bëri në Istog, bëri të ditur se u takua me kryetarin e kësaj komune, Ilir Ferati, e bëri homazhe te shtatorja e presidentit historik, Ibrahim Rugova.
E para e shtetit tha se vizitoi edhe familjen Imeraj, të cilës më 1999 iu vranë 19 anëtarë të familjes.
“Me një prezencë masive të mërgatës sonë dhe qytetarëve të Istogut, nderova me medalje presidenciale dëshmorë të UÇK-së, veprimtarë e sportistë”.
“Në Shtëpinë e të Moshuarve patëm një takim të ngrohtë me të moshuarit, të cilët kanë kontribuar për të mirën e përgjithshme”, tha Osmani.
Tutje, ajo bëri të ditur se ka vizituar edhe shtëpinë e familjes Josiq, e cila u dogj ditë më parë nëpërmjet një akti, të cilin ajo e quajti barbar.
“Kosova është shtëpi e të gjithëve pa dallim, ndërkaq Istogu gjithnjë ka qenë shembull i mirë i bashkëjetesës për të gjitha komunitetet”, tha Osmani.