Policia e Kosovës sot në mëngjes ka arrestuar në Merdare ish-shefin e milicisë së Istogut, Zharko Zariq, i cili dyshohet për krime lufte gjatë viteve 1998 -1999 për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë vitit 1998-1999 në komunën e Istogut.
Por, kjo s’është hera e parë që ai u arrestua në Kosovë për krime lufte.
Zariq ishte paraburgosur në shkurt të vitit 2020, por pas seancës dëgjimore në Prokurorinë Speciale në Prishtinë si dëshmitar, ai u lirua, kështu që u kthye në fshatin e tij në Istog.
Siç raporton mediumi në gjuhën serbe “Kosovo Online”, ai ka thënë se e ka nënshkruar deklaratën dhe se nuk ka pasur keqtrajtim dhe se oficerët kanë qenë të drejtë me të.
69 vjeçari gjatë viteve 98’-99’, ka mbajtur pozitën e komandantit të nënstacionit policor në fshatin Rakosh të Komunës Istogut.
Për arrestimin e tij ka reaguar e ashtuquajtura Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, e cila pretendon se arsyeja e arrestimit të tij është “gjuetia e Albin Kurtit bashkë me policinë e tij ndaj serbëve të kthyer në Kosovë për t’i larguar ata nga kthimi dhe bashkëjetesa paqësore”.
Sipas kësaj zyre, “Zariq është kthyer në fshatin e tij të lindjes në Istog në vitin 2017 dhe që atëherë nuk është larguar nga Kosova”.
Për arrestimin e tij ka njoftuar sot policia.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), kanë arritur që sot, më 05.08.2023, rreth orës 12:30, në fshatin Lubozhdë të komunës së Istogut të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin Ž.Z., viti i lindjes 1954, i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Komunën e Istogut”, thuhet në njoftim.