Pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe thatësirë, këtë të shtunë Shqipëria është përfshirë nga reshje të dendura shiu.
Shiu i dendur i orëve të mëngjesit në Koplik shkaktoi bllokimin e rrugëve kryesore të qytetit për disa minuta, për shkak se kolektorët shkarkues e kishin të pamundur të përballonin nivelin e lartë të prurjeve. Në Shkodër reshjet sollën vetëm uljen e temperaturave, kurse në plazhin e Velipojës vetëm aventurierët provuan bregdetin.
Reshjet e shiut kanë përfshirë edhe qarkun e Lezhës, ku pjesa më e madhe e pushuesve janë detyruar të ndërpresin pushimet, duke krijuar edhe radhë të gjata trafiku në hyrje dhe dalje të Lezhës, po ashtu edhe në rrugët dytësore.
Edhe qyteti bregdetar i Vlorës u përball me reshje me intensitet të lartë shiu këtë fundjavë. Në Lungomare, në rrugën transballkanike apo në hyrje të Vlorës u krijuan radhë të gjata trafiku, pasi pushuesit vendosën të ndërpresin plazhin.
Nisur nga situata meteorologjike që parashikohet, policia apelon që të shmangen aktivitetet në det për shkak të rritjes së dallgëve ne det, të cilat mund të rrezikojnë seriozisht jetën e tyre.
Trafik i rënduar u krijua edhe në Durrës, pasi shumë pushues braktisën plazhin. Probleme janë shkaktuar edhe në lundrim, veçanërisht për anijet e tonazhit të vogël, anijet turistike, por edhe sektori i peshimit ka pezulluar aktivitetin në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike./TCH.