Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Murati: Kosova, shteti më nivelin më të ulët të borxhit shtetëror në Evropë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, pretendoi sot (e diele) se Kosova është bërë shteti me nivelin më të ulët të borxhit shtetëror në Evropë. Megjithëse nuk ka prezantuar të dhënat për shtetet e tjera, Murati prezantoi në Facebook tabelën ku thuhej se borxhi publik i Kosovës është në nivelin 17.3% të Bruto Produktit Vendor.

Ai tha falë disiplinës fiskale e mirëmenaxhimit të parasë publike është arritur që të ndryshohet trendi i borxhit shtetëror duke e kthyer sërish në nivele të para-pandemisë.

“Ky konsolidim së pari e mban nën kontroll koston e kamatave sepse sa më pak borxh aq më pak pagesë e kamatave, dhe së dyti na mundëson kushte më të favorshme financimi për huamarrjet e reja në krahasim me të tjerët, sepse kemi dëshmuar qëndrueshmëri dhe mirëshpenzim të parasë publike”, përfundoi Murati.

Ministri i Financave shtoi se një konsolidim i tillë është vlerësuar lart edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Mirëpo, komentuesit e tij në rrjete sociale i thanë ministrit se kjo nuk ishte për t’u krenuar pasi po tregon paaftësinë për investime kapitale përmes kredive nga jashtë.

“Kjo nuk është për t’u krenuar. Kjo tregon që ju nuk jeni të aftë për të bërë investime kapitale përmes kredive nga jashtë të cilat mund të kenë impakt në jetën e qytetarëve. Nëse e kemi borxhin publik më të ulëtin në tërë Evropën atëherë përse ato shtete në Evropë me borxh publik më të lartë kanë GDP më të lartë për kokë banori? Sepse nuk i frikësohen kredive për të investuar dhe për të qarkulluar më shumë para në tregun e tyre të brendshëm”, kishte shkruar Eduart Jaha.