Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vrasja e Kastriot Ramadanit në Bon Vivant, Prokuroria: Andi Pajaziti shkrepi në drejtim të të ndjerit

Prokuroria Themelore e Prishtinës pretendon se Andi Pajaziti i njohur si “italiani” dhe Dukagjin Nikollaj, i cili ndodhet në arrati kishin nisur të përleshen fizikish në “Bon Vivant”. Më pas, sipas prokurorisë i ndjeri Kastriot Ramadani kishte goditur Andi Pajazitin me një shishe qelqi dhe ky i fundit kishte shkrepur në drejtim të tashmë viktimës.

Edhe Dukagjin Nikollaj si dhe i ndjeri kanë shkrepur me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit, thuhet në kerkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj “italianit” dhe dy personave tjerë, të cilën e posedon Gazeta Express.

“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”.

Prokuroria thekson se në “Bon Vivant” është shkaktuar rrezik i madh për jetën e njerëzve, të premtën mbrëma.

Prokuroria pretendon se Andi Pajaziti ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.