Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​25-vjetori i rënies, Kurti bën homazhe në nderim të dëshmorëve të familjes Lleshi

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe te lapidari në Vraniq të Gjakovës, në nderim të dëshmorëve të familjes Lleshi, me rastin e 25-vjetorit të rënies së tyre, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Familja Lleshi, tha kryeministri Kurti, ka dhënë kontribut të çmuar dhe sakrifica të vazhdueshme edhe në kryengritjet dhe luftërat çlirimtare para kësaj të fundit, vartëse e së cilës ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Sot jemi këtu në Vraniq të Gjakovës për të bërë homazhe, për të bërë nderime, për t’u përkulur, për të përkujtuar rënien heroike të dëshmorëve të familjes Lleshi, të Markut edhe të Kolës, të cilët këtu e 25 vjet më parë saktësisht pra më 7 gusht të vitit 1998 duke mbrojtur shtëpitë, popullsinë, dhe trojet e tyre, ranë heroikisht, në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe”, ka thënë Kurti.

Bëhet e ditur se duke lartësuar kontributin e kësaj familjeje, Kurti theksoi se familja Lleshi është një familje punëtore në paqe e luftëtare për çlirim, në kohëra lufte.

“Andaj edhe ne sot i kujtojmë me shumë mall e pikëllim por natyrisht edhe me krenari e përgjegjësi që në njërën anë patëm këso djemsh të Kosovës për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar dhe në anë tjetër me përgjegjësi si institucione të shtetit që nuk duhet të harrojmë asnjëherë se prej nga vjen liria, çlirimi, pavarësia e shteti dhe se brezat e ardhshëm duhet të jetojnë shumë më mirë me një ushtri që na mbron”, u shpreh kryeministri.

Në këto homazhe, kreu i ekzekutivit shoqërohej nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe deputeti Agon Batusha.