Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Aksioni policor në Mitrovicë të Veriut, “alarm” për kriminelët, eksperti tregon çka mund të tentojë të bëj Vuçiq pas tij

Policia e Kosovës ka kryer të hënën një operacion në një banesë në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut, në bazë të informacioneve se aty ka laborator droge.

Zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani, tha se gjatë aksionit janë konfiskuar edhe armë.

“Kemi nisur aksionin në bazë të informacionit se aty mund të ketë laborator droge. Kemi gjetur pajisje për laborator [droge], për kriptovaluta, shok-bomba, armë, municione”, u shpreh Elshani.

Ndërsa, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë sot se aksioni i sotëm policor në Mitrovicën e Veriut dëshmon tri fakte.

Ai ka thënë se aksioni dëshmon për sulmet që janë kryer në veri të vendit ndaj zyrtarëve policorë, qytetarëve dhe gazetarëve.

Sveçla ka thënë se po ashtu ky aksion dëshmon arsyet pse regjimi “i Aleksandar Vuçiqit dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar në veri”.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se argumentohet se policia e Kosovës në përputhshmëri me ligjet i kryen detyrat e saja të përditshme dhe bind me profesionalizimin.

Sipas tij, me aksionin e sotëm dëshmohet se policia është mjaft aktive në veri të Kosovës.

“Policia e Kosovës është institucion shtetëror që përkujdeset për jetësimin e kushtetutës dhe ligjeve të po atij shteti, që do të thotë se në përputhshmëri me ligjet i lufton të gjitha dukuritë kriminale të atij shteti, dhe përkujdeset për jeësimin e lirive dhe demokracisë në atë shtet. Policia e shtetit përkujdeset që t’i ushtrojë të drejtën kushtetuese të jetësimit të saj, dhe të është e pranishme në tërë territorin e shtetit deri te kufijtë ku kufizohet me shtete tjera. Sikur që u shpjeguan me larte autorizimet e policisë, policia e Kosovës sot ka kryer një intervenim në një banesë në Mitrovicë të Veriut, sipas raporteve të tyre, aty është gjetur drogë, shok-bomba, armë e municione, gjë që me këtë veprim argumentohet se policia e Kosovës në përputhshmëri me ligjet i kryen detyrat e saja të përditshme, dhe na bind për profesionalizimin e tyre dhe mënyrën e zbatimeve të ligjeve në fuqi, sepse këto vepra kriminale për të cilat bëhet fjalë janë vepra të rënda kriminale si krim i organizuar, që në prapavijë i kanë qëllimet e tyre kriminale shumë të rrezikshme për atë vend, dhe rrethinën në ato qytete ku jetojnë ata qytetarë. Aksioni policor i sotshëm nuk është i pari që bëhet në atë pjesë të qytetit, por me këto veprime të policisë po dëshmohet se policia në ato pjesë është mjaft aktive dhe e sukseshme në luftimin e të gjitha llojeve të krimit, dhe me këto veprime po dëshmohet se edhe popullata që jetojnë në ato pjesë janë kooperative dhe po bashkëpunojnë me policinë, sepse është e kuptueshme që policia të gjitha këto veprime që i ndërmerr, e ka për qëllim që asaj popullate sipas ligjeve t’iu sigurojë jetë të lirë dhe demokraci në ato komuna”, thekson Tërnava.

 Image Hajrullah Tërnava 

Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës kryen aksione kundër drogës, apo kundër kriptovalutave në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në shkurt të këtij viti policia zbuloi tre laboratorë droge në Mitrovicë të Veriut.

Po ashtu, në maj të vitit të kaluar, policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë. Në prill të atij viti, ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë.

Autoritetet e rendit gjithashtu kanë kryer disa aksione në Kosovë – përfshirë në veri – kundër mihjes së kriptovalutave.

Ndërsa, Tërnava thotë se me veprimin është vërejtje për kriminelët të mos merren me veprime të tilla.

Sipas tij, pas aksionit të sotëm kriminelët nuk mund të “zgjohen” për ri – tensionim të veriut.

“Ky veprim i sotëm është një vërejtje për ata kriminelë që merren me veprime të tilla kriminale, se policia në mënyrë permanente do t’i luftojë të gjitha llojet e krimeve në ato pjesë të territorit, qe grupe kriminale që merren me këto lloje të krimeve, tani më nuk do ta ndiejnë veten të qetë, dhe tani ata të cilët janë pjesëmarrës në këto krime të zbuluara, e që nuk janë burgosur bëjnë plane se si të ju shpëtohet përgjegjësive të deritanishme si vepër kryes të këtyre veprave kriminale dhe ata të cilët nuk janë burgosur ju kanë shpëtuar përgjegjësive të deritashme si vepër kryesit të veprave kriminale, dhe ata të cilët nuk janë burgosur tani tentojnë të largohen nga ato qytete, si pjesë të krimeve të zbuluara dhe mundohen të largohen dhe të shkojnë në vende tjera si në këtë rast në Serbi për t’i shpëtuar burgosjeve. Policia nëse i ka burgosur vepër kryesit e këtyre veprave kriminale, ndaj tyre duhet të zhvillohen procedura gjyqësore për krimet që iu ngarkohen, nëse dikush gjendet në arrati, ata duhen të përndjeken qoftë edhe përmes INTERPOL-it. Veprat për të cilat ngarkohen kryesit e këtyre veprave kriminale, janë vepra kriminale që në çdo shtet të botës janë të ndaluara sipas ligjeve, prandaj bandat kriminale në ato pjesë nuk mund të “zgjohen” për ta ritensionuar veriun, sepse në të gjitha shtetet e botes këto lloje të krimeve janë të ndaluara dhe përndjeken si krime me ligjet e atyre shteteve”, pohon Tërnava.

Ai shton se mund të tentojë Vuçiqi ta shtrembërojë aksionin.

“Situata në të cilën tani gjendet Kosova me Serbinë, është e mundshme që Vuçiq të tentojë që t’i shtrembëroj këto ndodhi në dëm të Kosovës, dhe ta bind botën demokratike si tentim hakmarrje e qeverisë në pushtet të Kosoves ndaj Serbisë, dhe ta dëshmojë se qeveria e Kurtit po bën çmos për ta tensionuar situatën politike, duke i shpikur këto përndjekje ndaj serbëve si qëllim të zbrazjes së atyre komunave në veri që janë të banuara me shumicë serbe”, përfundon Tërnava.