Andi Pajaziti apo siç e ka nofkën “italiani” ndodhet nën masën e paraburgimit për vrasjen që ndodhi me 4 gusht në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri vdiq K.R., 39-vjeç dhe u plagosën disa të tjerë. Por, “italiani” është emër i njohur për organet e drejtësisë sepse ka dosje të “trashë” për vepra të ndryshme penale. Vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës ai ka tri aktakuza për veprat penale “Pjesëmarrje në rrahje”, “Lëndim i lehtë trupor”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Kanosja” etj, për të cilat nuk ka ende ndonjë vendim gjyqësor. Në këtë gjykatë janë katër raste të përfunduara ndaj tij, ndërsa, ka tri raste në ekzekutim për të cilat “ka filluar procedura e ekzekutimit të dënimeve me gjobë”.
Këto të dhëna i ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Zëdhënësja Gashi tha se ndaj Andi Pajazitit një rast i përfunduar me aktgjykim është në Departamentin për Krime të Rënda, ndërsa në Departamentin e Përgjithshëm janë tri raste të përfunduara. I njëjti ka tri raste në ekzekutim, për të cilat ka filluar procedura e ekzekutimit të dënimeve me gjobë.
“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të akuzuarin A.P janë të përfunduara: Në Departamentin për Krime të Rënda është një rast i përfunduar me aktgjykim. Në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal janë tri raste të përfunduara. I akuzuari A.P ka tri raste në ekzekutim, për të cilat ka filluar procedura e ekzekutimit të dënimeve me gjobë”, tha Gashi në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.
Nga të dhënat e Gjykatës Themelore të Prishtinës rezulton se Andi Pajaziti ka tri aktakuza për të cilat ende nuk ka vendim gjyqësor, të njëjtat janë deponuar në gjykatë në vitet 2019-2021.
Në vitin 2020 ishte deponuar akatkuzë kundër Andi Pajazitit dhe 7 personave tjerë për “pjesëmarrje në rrahje”, për të cilën ende nuk ka vendim gjyqësor.
“Referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me datë 11.08.2020 është pranuar aktakuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për të pandehurin A.P, për veprën penale Pjesëmarrje në rrahje nga neni 187 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në këtë çështje penale në procedure gjyqësore janë edhe shtatë të pandehur të tjerë, lënda mban numrin PKR.nr.792/2020 dhe për të njëjtën ende nuk ka vendim gjyqësor”, thuhet në përgjigjet e Gashit.
Aktakuzë ndaj tij është ngritur edhe në vitin 2019.
“Në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, me datë 17 shtator 2019 është pranuar aktakuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për të pandehurin A.P etj, për veprën penale në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Lëndim i lehtë trupor dhe Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm. Lënda mban numrin P.nr.3088/2019 dhe për të njëjtën ende nuk ka vendim gjyqësor”, konfirmon Gashi.
Ai ka aktakuzë edhe për veprën penale “kanosja”.
“Në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, me datë 24 qershor 2021 është pranuar aktakuza me kërkesë për shqiptimin e urdhërit ndëshkimor nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për të pandehurin A.P., për veprën penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lënda mban numrin P.nr.1733/2021 dhe për të njëjtën ende nuk ka vendim gjyqësor”, thuhet tutje në përgjigjen e zëdhënëses Gashi.
Ndërsa për rastin që ndodhi në lokalin “Bon Vivant”, Andi Pajaziti dyshohet për 4 vepra penale.
Në njoftimin e gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, thuhet: “A.P për veprën veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 të KPRK-së, Mbajtja në pronësi, në kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së, Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 par. 2 të KPRK-së dhe veprën penale Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 të KPRK-së”.
Por si ndodhi vrasja dhe plagosjet në Bon Vivant?
Sipas prokurorisë i ndjeri Kastriot Ramadani po qëndronte ulur në lokal me Dukagjin Nikollaj dhe një person akoma të paidentifikuar nga prokuroria teksa në ato momente në “Bon Vivant” kishin hyrë Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datën 4 gusht 2023 rreth orës 23:17, në lokalin “Bon Vivant” në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, pas një përleshje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë me të pandehurit Dukagjin Nikollaj, Kastriot Ramadani dhe tani të ndjerin Kastriot Ramadani dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë njëri-tjetrin nga jeta, në atë mënyrë që derisa në lokal ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër deri më tani i paidentifikuar në lokalin e lartë cekur kanë ardhur Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani”, përshkruan prokuroria, transmeton Gazeta Express.
Prokuroria pretendon se Andi Pajaziti i njohur si “italiani” dhe Dukagjin Nikollaj kishin nisur të përleshen fizikisht. Më pas, i ndjeri Ramadani kishte goditur Pajazitin me një shishe qelqi dhe ky i fundit kishte shkrepur në drejtim të tashmë viktimës.
“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”.
Prokuroria thekson se në “Bon Vivant” është shkaktuar rrezik i madh për jetën e njerëzve, të premtën mbrëma.
“Të dëmtuarve: G.H., A.Z., A.A., dhe N.N., të cilët kanë pësuar lëndime trupore nga predhat e hedhura nga arma e zjarrit, e po ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe të pandehurit Andi Pajaziti, Hisni Gecaj si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani i cili nga plagët e marra ka vdekur në QKUK. Ndërsa nga xhamat e thyer dhe nga gotat e qelqit dhe gjatë ikjes janë lënduar edhe 14 vajza”, thekson prokuroria.
“Të pandehurit kanë shkaktuar rrezik të madh të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe më pas të pandehurit kanë arritur të ikin nga vendi i ngjarjes dhe t’i fshehin armët”, ka konstatuar prokuroria.
Sveçla godet drejtësinë që po lëngon në rastet e kriminelëve
Pas ngjarjes tragjike në “Bon Vivant”, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla kritikoi drejtësinë.
Ai tha se të përfshirët në konflikt kanë dhjetëa vepra të mëhershme penale por “kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!”.
“Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë.
Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!
Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre”, u shpreh ai.
Postimi i tij i plotë: