Genc Nimoni, shef i kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, ka deklaruar se për procedura më të shpejta për Vettingun nevojitet vetëm drita e gjelbër e Gjykatës Kushtetuese, nëse janë në përputhje me kapitullin 2 apo jo.
“Vetëm na nevojitet drita e gjelbër e Gjykatës Kushtetuese, që të jemi në përputhje me kapitullin 2, pastaj janë afatet dhe do procedohen shpejt, janë rregulla procedurale dhe s’mund të veprojmë më shpejt. S’mund të marrim vendim pa marrë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Nimoni tha se Ministria e Drejtësisë, sa i përket Vettingut, ka vepruar në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Kemi vepruar në përputhje me rekomandimet e komisionet të Venecias, konsiderojmë që është në përputhje me kapitullin 2 të kushtetutës”, tha ai.
“Kërkesa është që këto amendamente kushtetuese janë në përputhje me kapitullin 2 të kushtetutës. Konjufca i ka dërguar këto amendamente për mendim, edhe pse kemi më shumë se 5 muaj nga momenti kur kemi dërguar në gjykatën kushtetuese, nuk kemi njoftim”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.
Ai tha se Ministria e Drejtësisë po punon shumë në reformat e sistemit të drejtësisë.
“Jemi në rrugën e duhur, marrë parasysh dinamikën e zhvillimeve. Është reforma në KPK, Vettingu dhe disa nisma të tjera reformuese. Vettingu, pas pranimit të opinionit të Komisionit të Venecias, konsiderojmë se kemi rezultate të prekshme. Kemi të draftuara amendamentet kushtetuese për vettingun për gjyqtarët e prokurorët të niveleve të larta”, tha ai.