Diplomati britanik, Timothy Less, sheh ndryshime pozitive në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Ukrainës, por shprehet skeptik se në këtë fazë Kievi do ta njohë pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë. Megjithatë ai nuk e përjashton mundësinë që Ukraina të ndryshojë qëndrim pas përfundimit të luftës me Rusinë.
Veçse është bërë e ditur se në parlamentin e Ukrainës është diskutuar për njohjen e mundshme të pavarësisë së Kosovës.
Për këtë çështje është alarmuar edhe vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai shpreson që presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelenksy, të mos e merr një vendim të tillë.
Sipas të parit të Serbisë, nëse Ukraina e njeh Kosovën do të humbas gjithë kredibilitetin e saj politik.
E afërsi mes Prishtinës dhe Kievit po sheh edhe diplomati britanik, Timothy Less, megjithëse ai është skeptik se në këtë fazë Ukraina do ta njoh Kosovën.
“Jo, nuk e shoh të ndodhë në këtë fazë edhe pse çështja e njohjes së Kosovës nuk është aq e qartë sa ka qenë. Ukraina ka nevojë për mbështetjen e Perëndimit dhe është e prirur të mbështesë qëndrimet e Perëndimit në çështjet ndërkombëtare për të treguar vullnetin e saj të mirë. Në të njëjtën kohë, Ukraina është padyshim e zhgënjyer me mungesën e mbështetjes së Serbisë dhe e kënaqur me mbështetjen që ka marrë nga Kosova. Në këtë kontekst, deklaratat nga Kievi, së fundmi ato të Oleksandr Merezhko, janë më ambivalente se deklaratat në të kaluarën”, ka thënë ai.
Sipas Less, Ukraina momentalisht është e fokusuar t’i rifitojë territoret e saj të humbura, prandaj nuk dëshiron të krijoj precedent duke e njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai beson që Ukraina do ta mbaj qëndrimin e njëjtë deri në përfundimin e luftës më Rusinë.
“Në këto momente kryesore për Ukrainën është të rifitojë territoret e pushtuara nga Rusia dhe t’i rezistojë presionit ndërkombëtar për t’i dorëzuar ato si pjesë e një marrëveshjeje paqeje. Për këtë qëllim, Kievi nuk mund të pranojë asnjë precedent që mund të minojë normat e vendosura ndërkombëtare mbi integritetin territorial të shteteve, nëse kjo vë në pikëpyetje sovranitetin e Ukrainës mbi Ukrainën lindore dhe lejon që republikat e shkëputura të pranohen si pjesë e Rusisë. Prandaj së paku deri në mbarimin e luftës nuk pres që Ukraina të ndryshoj qëndrim ndaj pavarësisë së Kosovës”, shprehet ai.
Ditë më parë, kreu i Komisionit për politikë të jashtme të Ukrainës Oleksandr Merezhko, deklaroi se Ukraina mund ta njoh pavarësinë e Kosovës në një të ardhme të afërt.