Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Trondit gazetarja: Vajza politikanësh e biznesmenësh janë abuzuar seksualisht pas konsumit të ekstazisë

Shkruan Aida Topalli

Cannabis sattiva, apo siç njihet tradicionalisht, hashashi, kokaina, heroina dhe çdo drogë tjetër, tashmë po shndërrohen në një mit.
Herë pas here jemi përpjekur të paralajmërojmë shpërthimin e një lloji të ri droge, ajo sintetike. Ndër të parët që folëm publikisht, kur sapo kishte nisur të kthehej në trend.

Treguam efektet dhe pasojat. Dhe më e rënda, se si grupmoshat e reja u nisën me vrull ta provonin, e më pas të ktheheshin në përdorues të rregullt.
Janë të vështira për t’u dalluar. Ngjajnë me produkte farmaceutike. Por janë të dëmshme shumë herë më shumë sesa drogërat e tjera, të njohura botërisht, si tradicionale.

Qindra vajza të reja, kanë rënë pre e kësaj droge, duke humbur vetëdijen e duke u kthyer kështu në objekt seksi për grabitqarët seksualë. Mes tyre edhe vajza politikanësh, biznesmenësh e njerëzish të drjtesisë. Histori që flenë në familjet e gjithësecilit, por asnjëherë nuk kanë përfunduar në dyert e policisë. Për një arsye të thjeshtë, ruajtja e nderit dhe moralit.

Por kjo mbajtje në fshehtësi, ka bërë që shumë vajza të tjera të mos kenë dijeni dhe të bien pre e këtyre sulmeve, që mund të konsiderohen nga më të frikshmet, për shkak se nuk mban mend asgjë çfarë ka ndodhur.

Janë me dhjetëra video që qarkullojnë, filmuar nga grabitqarët seksualë, të vajzave të reja, nën efektin e drogërave sintetike, të cilat kanë përfunduar në inbox-et e baballarëve dhe vëllezërve, si forma shantazhi, herë për të marrë para në këmbim, e herë për të përfituar të tjera gjëra.

Madje, një nga videot e bëra, në të cilën abuzohet me vajzën e një punonjësi të drejtësisë, gjithçka është bërë vetëm për ego.

Operacioni i finalizuar një ditë më parë nga seksioni kundër Narkotikëve në DVP Tiranë, nuk duhet parë kaq cekët.

Në gamën e gjerë të analizës, kemi të bëjmë me shpërbërjen e një grupi që më duart e tyre, furnizonin të rinjtë me një substancë që të humbet vetëdijen dhe kontrollin. Pas konsumimit je i aftë të bësh gjithçka, dhe në fund nuk mund të mbash mend asgjë. Duke rënduaar kështu psikozën rinore.

Duke ngritur skuta të errëta, që nuk ndriçohen kurrë në memorie.

Pa shtuar këtu edhe varësinë që krijojnë. Njëmbëdhjetë mijë kokrra ekstazi, është njëlloj si të shpëtosh të paktën 5 mijë të rinj nga përdorimi.

Ndoshta nuk është folur mjaftueshëm për efektet kaq negative dhe pasojat kaq të rënda të kësaj droge, dominuese e shekullit të ri. Kjo sepse herë-herë është si një thikë me dy presa, ti jep inforacion për pasojat, por kureshtarët tentojnë të shuajnë kureshtjen dhe të provojnë këto efekte në trupin e tyre.

Asnjë instancë nuk është e aftë që ta ndalojë njëherë e mirë shpërndarjen dhe konsumimin. Për një arsye të thjeshtë, sepse gjithçka nis nga personalja. Jemi ne ata që vensdosim nëse do ta konsumojmë apo jo.

Dhe nëse vendoset të konsumohet, atëherë do të përdoret çdo mënyrë për ta gjetur. Sado grupe të shkatërrohen, të tjerë do të ngrihen e përhapen. Andaj, në kësisoj rastesh, lufta është me veten… mes të rinjve…