Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nexhmedin Spahiu publikon pamjet: Presidentja e Kosovës për herë të 4-të shkeli Kushtetutën

Njohësi i çështjeve politike Nexhmedin Spahiu, ka akuzuar presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, se ka shkelur Kushtetutën e vendit, dje gjatë vizitës së saj në komunën e Dragashit.

Ai ka thënë se presidentja shkeli ligjin për simbolet shtetërore, përcjell Bota sot.

Sipas tij, kjo është hera e katërt që Osmani shkelë Kushtetutën.

“Presidentja e Kosovës për herë të 4-të shkelë Kushtetutën. Viziton Komunën e Dragashit në shkelje të ligjit për simbolet. Kujtojmë që për të njëjtën shkelje kryetari i Tetovës dhe ai Çairit u vunë nën aktakuzë për vepër penale. Shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës nga Presidentja dëmton rëndë imazhin e Kosovës dhe e paraqet Kosovën si një shtet jo serioz”, ka shkruar Spahiu, në një postim në Facebook.

Presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar dje në Komunën e Dragashit, ku është pritur nga kryetari Bexhet Xheladini. Me këtë rast, Osmani iu është drejtuar edhe këshilltarëve lokalë në Asamblenë Komunale me një fjalim duke kërkuar angazhim mbi partiak për të zhvilluar Dragashin.

Presidentja Osmani, ndër tjerash i ka cilësuar keqkuptime reagimet në Maqedoninë e Veriut pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Tetovë. Ajo ka thënë se flamuri i Shqipërisë etnike ishte veprim i një pjesëmarrësi në tubim dhe jo e organizuar.

“Lëvizje e një qytetari dhe jo diçka e organizuar… Në tubime askush nga organizatorët nuk e kontrollon çdo qytetar se çka ka në dorë, por kjo është si parim. Natyrisht, nëse institucionet e Maqedonisë së Veriut kanë ndonjë shqetësim, e vetmja kërkesë e jona si institucione të Republikës të Kosovës është që gjithçka të bëhet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut… Kjo besoj që është një keqkuptim i vogël, që kur kemi vullnet të dyja palët, siç e kemi dëshmuar gjithnjë, tejkalohet”, ka deklaruar Osmani.