Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Iu ngritën dy kallëzime penale pas vizitës së Kurtit, kryetari i Çairit: Janë të ndikuara politikisht

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, është thirrur dje në stacionin policor të Bit Pazarit për të dhënë deklaratën e tij, pesë ditë pas vizitës së kryeministri të Kosovës, Albin Kurti.

Pas intervistimit, Ganiu ka deklaruar se ndaj tij janë ngritur dy kallëzime kundërvajtëse, njëra për mosintonimin e himnit shtetëror dhe tjetra për mosvendosjen e flamurit të Maqedonisë, raportoi Alsat.

“Kanë vendosur që për momentin t’i kem dy dënime për kundërvajtje, kështu që arsyeja është vizita e kryeministrit Albin Kurti në Çair. Thirren në ligj për shkak se nuk është kënduar himni i Maqedonisë atë ditë aty, dhe që nuk ka pasur flamuj, do të thotë protokolli nuk e ka paraparë që të ketë flamuj, nuk ka pasur të Maqedonisë, por nuk ka pasur as të Kosovës”, tha Ganiu pasi doli nga stacioni policor.

Deputeti ukrainas: I papranueshëm kërcënimi i Vuçiqit që të mos e njohim Kosovën
Kallëzime penale të martën janë ngritur ndaj Visar Ganiut dhe kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami.

Sipas Ministrisë së Panëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut kjo është bërë për “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore” gjatë vizitës së Kurtit.

Të premten, Kurti ka qëndruar në Maqedoni të Veriut me ftesë të dy kryetarëve.

Ai ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit “Adem Demaçi” në Çair, si dhe në një përurim në Tetovë.

Pas vizitës së tij ka pasur shumë reagime, ndër të cilat edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite, për shkak të ikonografisë shqiptare të përdorur gjatë manifestimeve.