Kombet e Bashkuara merren me çështjet e paqes, bashkëpunimit ndërmjet kombeve dhe të drejtave të njeriut, dhe “duke pasur parasysh se në Kosovë kemi akuza të shumta për shkelje të të drejtave të njeriut, veçanërisht të serbëve”, nuk e kuptoj pse dikush do të kishte diçka kundër që Kosova të bëhet pjesë e një organi, që sigurisht do të kontribuojë në garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, tha Sofija Todoroviq, drejtoreshë programore e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut.
E ftuar në Novi Dan në televizionin N1, ajo ka komentuar intervistën e saj dhënë agjencisë FoNet, në të cilën ka thënë se Kosova duhet ta marrë absolutisht një vend në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Kjo deklaratë shkaktoi reagime të shumta. Në atë intervistë fola edhe për atë se për çfarë shërbejnë Kombet e Bashkuara. Në shumicën e marrëveshjeve në artikull thuhet se Serbia ka marrë përsipër të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Presidenti më pas thotë se nuk do të pajtohet me këtë. Mes asaj që thotë presidenti dhe asaj që qëndron pas shtetit të Serbisë, krijohet një vakum në të cilin kërkohen armiq dhe fajtorë. Nëse duhet të jem unë… mirë, nuk pyes për këtë”, tha ajo.
Ajo përkujtoi se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën është pjesë e procesit të negociatave të Beogradit me Bashkimin Europian, i cili edhe pse shpesh interpretohet nga publiku si “shantazh”, në fakt është zgjedhja e serbëve nëse duam apo jo të jenë pjesë e BE-së.
“Ne e kemi kritikuar që në fillim mungesën e dialogut mes dy palëve. Nuk ka asnjë konferencë ndërkombëtare, këshilltar të huaj apo ndonjë vend tjetër që mund t’i zgjidhë problemet tona. Nëse nuk kemi dialog, nëse kemi dy liderë që nuk mund të ulen në tryezë, si mund t’u kërkojmë njerëzve të zakonshëm të jetojnë së bashku në terren?”, pyeti ajo.