Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Murati tha se është rritur buxheti për komunat për vitin 2024, Ibrahimi: Rriteni përqindjen

Ministri Murati, sot ka thënë se dje kanë dorëzuar qarkoren e dytë për buxhetin komunal për vitin 2024, sipas së cilës buxheti i komunave rritet në 742.3 milionë euro, 90 milionë euro më shumë sesa në vitin 2023.

Mirëpo, kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka kërkuar që të rritet përqindja e buxhetit që ndahet për komunat. Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të konsultohen me komunat për hartimin e ligjeve që prekin ato.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot ka njoftuar se dje kanë dorëzuar qarkoren e dytë për buxhetin komunal për vitin 2024 që parasheh që buxheti i komunave të rritet në 743.2 milionë euro.

“Dje kemi dorëzuar qarkoren e dytë për buxhetin komunal për vitin 2024, e cila parasheh që buxheti i komunave të rritet në 742.3 milionë euro. Po bëhet tashmë viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Në vlerë absolute, buxheti i vitit 2024 rritet për gati 90 milionë euro krahasuar me vitin 2023”, ka shkruar Murati.

Ai ka thënë se nga fillimi i mandatit, për tri vite, buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë.

“Suksesi Qeverisë në menaxhimin më të mirë të financave publike dhe në mbledhjen e të hyrave përkthehet në buxhet më të lartë për komunat”, ka shkruar Murati.

Për këtë çështje, ka folur kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.

Ai tha së gëzohen për çdo euro më shumë që shkon për komunat, mirëpo sipas tij 22.6% e buxhetit total të Republikës së Kosovës do të shkojë vitin e ardhshëm për komuna, kurse 77.4% do të mbetet në nivel qendror.

Ibrahimi deklaroi se në vitin 2021 ka qenë 22.1 për qind për komunat.

Sipas tij, më me rëndësi është rritja e përqindjes sepse vlera monetare rritet me rritjen e buxhetit të shtetit.

Në fund, ai i bëri thirrje Qeverisë që të konsultohet me komunat për hatimin e ligjeve që prekin ato.

“I gëzohemi çdo euro që shkon më shumë për komuna, mirëpo vetëm 22.6% e buxhetit total të Republikës së Kosovës do të shkon vitin e ardhshëm për komuna, kurse 77.4% do të mbetet në nivel qëndror. Në vitin 2021 ka qenë 22.1% për komuna kurse 77.9% për nivel qëndror. Nuk ka dallim substancial në % për komuna.

Këto ndarje vijnë si rezultat kryesor i formulave dhe politikave që janë hartuar në legjislacionin, i cili është hartuar në qeveritë e kaluara e që janë në fuqi edhe tani sa i përket ndarjeve buxhetore. Po flas gjithmonë për % -jen që ndahet për komuna. Komunat kërkojnë grantin e IV-të për investime kapitale e që kjo do e shtonte %.

Pra % është me rëndësi, sepse vlera monetare rritet me rritjen e buxhetit të shtetit dhe duke marrë parasysh që qeverisë zakonisht i teprojnë shumë milionë euro është normale që ato mjete të pashpenzuara të barten. Në vitin e ardhshëm dhe buxheti rritet dhe me automatizëm buxheti në vlerë monetare rritet për komuna, por shihni sa është dallimi në % me vitin 2021 për buxhetin e komunave. Qeveri, rriteni % për komuna, kjo është me rëndësi dhe konsultohuni me komuna për hartimin e ligjeve që prekin komunat, e jo të hartohen ligjet pa asnjë konsultë paraprake me komuna”, tha ai