Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u prit në Athinë nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në pallatin Maximos.
Sipas zyrës së shtypit të kryeministrit së Kosovës, fillimisht Kurti e uroi homologut grek për rizgjedhjen e tij kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët.
Gjithashtu në takim mësohet se u diskutua edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime.
Ai kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës.
“Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm”, tha Kurti.
Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryeministri Mitsotakis e falënderoi për pjesëmarrjen në darkë Kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
“Kryeministri veçoi rritjen ekonomike për çerekun e parë të këtij viti që qëndron në 3,9% dhe rënien e shkallës së inflacionit nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor si dhe progresin në indikatorët e demokracisë. Tha se me strategjinë e re për energjinë, qeveria është zotuar që gjenerimet e reja në energji të jenë nga burimet e ripërtëritshme, pra solare dhe nga era. Përmendi sektorët në rritje të prodhimit të ekonomisë sikurse atë të përpunimit të metaleve dhe të drurit, tekstilit, ushqimit dhe pijeve si dhe sektorin e shërbimeve dhe teknologjisë informative.
Kryeministri Kurti e ftoi Kryeministrin Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë. Shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021.
Gjersa shprehu keqardhjen për zjarret që kanë përfshirë një pjesë të Greqisë, Kryeministri ofroi ndihmën e Republikës së Kosovës në përballimin me zjarret përmes njësiteve të kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, njofton zyra e kryeministrit Kurti.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, u takua edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin, i cili ka deklaruar se ka dalë i siguruar nga Ukraina dhe Greqia se ato nuk e kanë ndryshuar qëndrimin për “integritetin territorial”, me të cilin nënkuptoi se ato nuk kanë ndryshuar qëndrimin kundër që e kanë ndaj Kosovës shtet.
Vuçiq, i cili pati sot takim bilateral me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se kishte bisedë të sinqertë dhe shoqërore me të. Sipas Presidenti serb, Zelenskyy u interesua se çka mendojnë qytetarët serbë.
“I thash që, kur bëhet fjalë për çështjen e integritetit territorial, Serbia, ndryshe nga të tjerët, është e sinqertë dhe e përkrah sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ishte një bisedë e sinqertë, miqësore dhe shpresoj që ne do t’ia dalim të vazhdojmë zhvillimin e bashkëpunimit me një shtet që kurrë nuk i ka bërë diçka të keqe Serbisë. Unë gjithashtu besoj se nuk do të ketë ndryshime të qëndrimit të Ukrainës kur bëhet fjalë për integritetin territorial të Serbisë”, ka thënë Vuciq.
Nëse është “fitues” Kurti apo Vuçiqi në Athinë, ka komentuar analisti politik Blerim Burjani, i cili thotë edhe Ukraina edhe Greqia duhet ta njohin Kosovën.
Sipas tij, njohja e Kosovës nuk duhet të mbetet peng përherë.
“Greqia duhet të qartësojë qasjen ndaj Kosovës, nuk mjafton vetëm një arsye se Athina nuk dëshiron t’i prish raportet me Serbinë, Greqia asnjë arsye të vetme nuk e ka për mos e njohur Kosovë dhe për hatër të Serbisë. Ukraina duhet ta njoh sa më parë Kosovën po sikur Greqia, pra sa më parë ose të dy shtetet duhet ta njohin Kosovën, Vuçiqi ka shpallë fitoren ndaj njohjes së Greqisë për Kosovën, pra duhet asgjë normale dhe e arsyeshme në këtë temë, nuk mund njohja e Kosovës të mbetet peng si e përhershme dhe pa kuptim. Nuk i dimë arsyet greke që janë reale, faktike apo politike apo ndërkombëtare”, shprehet Burjani.
Blerim Burjani
Tutje, sipas tij, Kurti duhet të ndalë sjelljet dhe fjalorin e tij të pakuptimtë.
“Kurti fillimisht duhet të ndal sjelljet dhe fjalorin e tij të pakuptimtë ndaj cilido shtet ndërkombëtar, pra politikisht Kosova duhet të përkrahë gjithë ata që e njohin atë dhe t’i ketë raportet e mira. Pra, duhet të ketë më shumë kujdes, që anatorizmi mos të sjellë dëme”, shton Burjani.