Eksperti i arsimit, Jonuz Salihaj, ka folur për Gazeta Blic lidhur me vendimin e fundit të MASHT-it për tekstet shkollore, ku kanë paralajmëruar se librat do t’i blejnë prindërit, pastaj do të rimbursohen nga Ministria.
Eksperti i këtyre çështjeve tha se kjo që po ndodh është një papërgjegjësi nga ana e MASHT-it, ani pse këta të fundit janë të obliguar të sigurojnë librat në kohë.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e ka për detyrë t’i siguroj tekstet shkollore me ligjin që është në fuqi, akteri kryesor është MASHT-i dhe ata janë të obliguar të krijojnë kushte që të botohen tekstet me kohë, të shpërndahen me kohë falas”, tha ai.“Këta janë lavdëruar para se me ardh në pushtet se do të bëjnë të mundur sigurimin e kushteve, standardeve tjera në arsim, kanë me i rrit standardet, në të vërtetë është bërë e kundërta, standardet janë ulë kështuqë sot kemi vitin shkollor para kolapsit faktikisht”, tha tutje Salihaj.
Eksperti theksoi se krejt kjo çështje ka të bëjë me një kamuflim të situatës meqenëse nuk ka tekste.“Në të vërtetë mbrapa kësaj fshihet një papërgjegjësi totale, sepse si kanë as tekstet e siguruara po ashtu çmimet i kanë të larta dhe për të gjitha këto është përgjegjës MASHT-i për arsye se me ligjin për botimin e teksteve shkollore, lektyra shkollore, dhe dokumentacioni pedagogjik çdo gjë që ka të bëj me tekste shkollore lidhet direkt me MASHT-in edhe shtëpitë botuese, të gjitha këto të gjitha komisionet kontrollohen nga MASHT-i”.
“Pra kemi të bëjmë me një vendim praktikisht që s’ka tekste por dojnë tash me e kamuflu kinse tash ne jemi më demokrat edhe po dojmë tash nëpërmes prindërve kinse ata me i ble tekstet, pastaj ata me ua rimbursu që është procedurë shumë e komplikume, në vend se me u shpërnda tekstet në shkolla sepse me ligj MASHT-i është i obligum një muaj përpara me i shpërnda tekstet, shtëpitë botuese një muaj përpara janë të obliguara me i botu tekstet dhe me e njoftu MASHT-in se çdo gjë është në rregull”, tha eksperti i arsimit për Gazeta Blic.
Kujtojmë se, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar para pak dite se është duke e shqyrtuar mundësinë që këtë vit t’i transferojë mjetet financiare në llogaritë e prindërve, në mënyrë që ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
Ajo ka thënë se kjo është bërë në mënyrë që të mos ketë hapësirë për keqpërdorime të çmimeve me libra shkollor.Deri më tani tekstet shkollore janë blerë nga shtëpitë botuese dhe nuk ka pasur nevojë që prindërit t’i blejnë vetë ato.
Me vendimin e ri mjetet do të alokohen në llogari të prindërve dhe ata do t’i blejnë në librari.“Sivjet jemi duke shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të MASHT-it të bëhet në llogaritë e prindërve dhe t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shpejt brenda dy tri ditëve do të vendosim përfundimisht për këtë që po e shqyrtojmë”, ka thënë tutje Nagavci.
Rimbursimi, sipas Nagavcit, do të bëhet përmes faqes “e – Kosova”, ku shumica e prindërve kanë të hapur llogari.