Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot për fillimin e punimeve në rregullimin e infrastrukturës në kryeqytet.
Ai ka bërë të ditur se së shpejti do të funksionalizohet parkingu i madh në hyrje të Prishtinës.
Po ashtu, tregu i drunjve dhe lëndëve tjera djegëse, sepse nuk do të lejohen më tutje që këto produkte të shiten në zonën urbane, përkatësisht në zona të banimit në kryeqytet.
“Tregu i veturave nuk do të jetë më në Zonën Industriale në Fushë Kosovë por do ta zhvendosim pikërisht në këtë lokacion ku kemi filluar punimet, në Kodrën e Trimave. Autoshkollat do ta kenë lokacionin e veçantë. Ato do të zhvendosen nga “Stacioni i Autobusëve” në lokacionin i cili do të rregullohet në Kodrën e Trimave”, ka shkruar Rama në Facebook.
Sipas tij, komunikacioni do të ketë shumë lehtësime me përmbylljen e këtij projekti.
“Së bashku me Drejtorin e Investimeve Kapitale, Krenar Xh Xhaferi dhe Drejtorin e Inspektoriatit të Kryeqytetit, Florian Dushi vizituam punimet të cilat tashmë vetëm se kanë filluar në realizimin e këtij projekti të madh”, ka përfunduar Rama.