Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani dhe zyrtari komunal, Berat Kabashi kanë dalë para Gjykatës së Prizrenit pasi Prokuroria ka kërkuar që ndaj të njëjtëve të vendoset masa e sigurisë.
Dy zyrtarët publikë, Shabani dhe Kabashi u arrestuan të martën me dyshimin se kanë keqpërdorur pozitat e tyre në një tender dhjetëra-mijëra euro për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit të kaluar.Të dyshuarit, si zyrtarë publikë, kanë qenë të angazhuar në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e kontratës në fjalë ku vlera sipas Prokurorisë ka qenë mbi 74 mijë euro.
Lidhur me ketë në dosje thuhet se të dyshuarit kanë përpiluar procesverbaleve, dhe situacione fiktive/rrejshme ku kanë konfirmuar kryerjen e punimeve sipas kontratës, ndërsa sipas gjendjes në terren kontrata nuk është realizuar.
“Të hollat janë paguar për operatorin ekonomik mirëpo rrugët nuk janë shtruar ashtu siç parashihet në kontratë, të njëjtit dyshohen se me veprimet e tyre i kanë mundësuar dobi pasurore personit tjetër -operatorit ekonomik dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës në vlerë prej 74,214,74 euro”-thuhet në aktvendimin e Prokurorisë së Prizrenit.
Të dyshuarit me vendim e prokurorit Petrit Kryeziu janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkaq, për këto pretendime, të mërkurën në një bisedë për KALLXO.com, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj konfirmoi se njëri nga të arrestuarit është drejtori i tij.
“Njëri prej të arrestuarve është drejtor i Shërbimeve Publike, tjetri është menaxher, punëtor në komunë” – tha Muharremaj për KALLXO.com.
Megjithatë, kryetari Muharremaj deklaroi se nuk kanë pranuar ndonjë informatë zyrtare nga ana e Prokurorisë në lidhje me këto arrestime.
“Informatë zyrtare nuk kam, organet e shtetit e kanë të drejtën ligjore me vazhdu punën e vet. Pa e pasë informatën zyrtare, nuk di. Ne kemi mbi 50 projekte që jemi në terren. Kështu që i presim hetimet përfundimtare” – tha ai.
Muharremaj e konfirmoi se arrestimi është bërë për projektet në fshatin Mushtisht të Suharekës.
“Bëhet fjalë për projekte në fshatin Mushtisht. Bëhet fjalë për një rrugë. “Ka shumë rrugë, diku 20 rrugë janë në Mushtisht, por sa di unë ajo rrugë është shtru në korrik të 2021. Unë di me thanë që metrat katror të rrugës janë aty” – tha Muharremaj
I pyetur nëse në lidhje më këtë projekt është intervistuar ndonjëherë nga Prokuroria, kryetari i Suharekës tha që nuk ka pranuar ftesë.
“Prokuroria nuk më ka ftuar dhe s’ka ndonjë arsye. Mundet me m’thirrë Prokuroria kurdo, unë jam në gjendje me dhanë llogari prej kur jam bërë kryetar i Suharekës e deri sot, prej krejt çka ka ndodhë, për çdo sen” – tha ai