Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili disa ditë më parë është emëruar ministër në Qeverinë e Kosovës ka dhënë intervistën e parë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Ai ka thënë se do të mundohet që të kryejë detyrat me nder dhe do të jetë në shërbim të shtetit e atdheut, siç ka qenë çdo herë.
Ministri Maqedonci, ka folur edhe për etapat nëpër të cilat ai ka kaluar, duke filluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
“Bazamenti i të gjithave ka qenë është UÇK-ja. Të gjitha etapat që ka kam kaluar më kanë formësuar”, ka deklaruar ai.
“Në vitin 2025, FSK do të ketë tri regjimente të këmbësorisë”
Maqedonci ka thënë se FSK-ja po shkon duke u zhvilluar sipas planit që është përpiluar në bashkëpunim me aleatët.
Ai bërë të ditur se në vitin 2025, FSK-ja do të ketë tri regjimente të këmbësorisë, që kanë synim mbrojtjen e vendit.
Po ashtu, ministri Maqedonci ka folur edhe për buxhetin që Qeveria e Kosovës ka ndarë për buxhetin për ushtrinë e Kosovës e që sipas tij, është rritur për 120 %.
“Ky buxhet ka ndikuar dukeshim në rritjen e kapaciteteve ushtarake, rekrutimit, blerjen e pajisjeve ushtarake e të tjera”, ka deklaruar ai.