Në mesin e burrave trima të shquar malësorë në periudhën e pas Lidhjes së Prizrenit (1878) është cilësuar edhe trieshjani, Martin Lucë Prenkoçaj nga fshati Budzë. Ai ka pasur virtyte të larta njerëzore dhe vetëdije kombëtare, të cilat i mori nga babai Lucë Ujka , i cili u shqua në betejat çlirimtare të Trieshit në Cem-Lemajë , Shesh e Grabom ( 1907) dhe në betejat e Kryengritjes së Malësisë , në Pikalë e Selisht ( Qafë të Bokrrinës), në Deçiq, Qafë të Uglës, ku ra heroikisht , më 25 qershor 1911.
u lind në vitin 1887. Ai ishte djali i Lucë Ujk Gilës, të cilit Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha ia dha Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasit II në vitin 1993, kurse Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë i ndau Certifikatën e Dëshmorit të Atdheut, dhe familjes së tij i dha simbolin “ Familje e Dëshmorit të Atdheut” në vitin 2020. Gjyshi i tij , Ujk Gila u vra në luftën e Qafë Nagrivës, në vitin 1862. Nëna e tij Tringë Çugaj, ishte nga fisi i njohur i fshatit Stjepoh( Triesh). ka pasur dy vëllezër, Tomën e Kolën dhe pesë motra, Hakën, Dilën, Mrikën, Prëtën dhe Maren. Të dy vëllezërit e tij vdiqën në moshë të re. Toma vdiq në moshën 8 vjeçare, kurse Kola vdiq në moshën 24-vjeçare si pasojë e vuajtjeve që përjetoi në burgun famëkeq Jusovaça, në afërsi të stacionit të trenit dhe të autobusëve në Podgoricë, njërin nga monumentet më të errëta të kryeqytetit të Malit të Zi.
Martin Lucë Prenkoçaj nuk ishte i arsimuar, por mbante gradën ushtarake Toger i Këmbësorisë dhe dinte të shkruajë e të lexojë dhe po ashtu fliste rrjedhshëm gjuhën sllave, italiane dhe gjermane të cilat i kishte mësuar gjatë internimit në Austri (1916-1918) nga Austro-Hungaria dhe më pas gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Itali. Periudha kohore në të cilën jetoi dhe veproi ishte periudha e përpjekjeve e sakrificave sublime të popullit shqiptar.
Veprimtaria atdhetare e Martin Lucë Prenkoçajt kishte filluar që në moshë të re të tij. Si i ri u inkuadrua në jetën politike, të cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese. Mori pjesë në ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. U inkuadrua në luftë kundër pushtuesve turq, në luftën e Deçiqit, e më pas për më se tri dekada kundër pushtuesit serb,duke luftuar me pushkë në dorë në luftëra e beteja për mbrojtjen e territoreve etnike gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore nga pushtuesit. Ishte aktiv në luftën e Koplikut, së bashku me vëllain Kolën, në konfliktin e armatosur kundër ndërhyrjes ushtarake jugosllave në krahinën e Shkodrës zhvilluar në muajt korrik e gusht të vitit 1920. Pas luftës së Koplikut inkuadrohet në ushtrinë të sapoformuar shqiptare të themeluar nga Ahmet Zogu. Atje shërben pak kohë për t’u rikthyer më pas ilegalisht në Mal të Zi, ku luftoi dhe rezistoi fortë okupuesit e këtyre trevave deri në amnisti që kishte ndodhur në Jugosllavi rreth viteve 1925.
omë Nikë Lulgjuraj, bashkëluftëtar ( shok i luftës) i Martinit ka treguar një episod të tij trimërie. “Gjatë një beteje në luftën e Koplikut na u prishë mitralozi dhe Martini pa kurrfarë frike rrezikoi jetën, kaloi nëpër breshëri plumbash, e ndreqi mitralozin me të cilin arritëm të ndalim sulmet e ushtrisë armike, të cilat kishin goxha mirë. Pas këtij akti trimërie Ushtria Shqiptare e mbajtën Martinin lartë me duar”, kishte thënë Lulgjuraj. Ky burrë i pushkës e atdhetar për arsye të rrethanave e kushteve të pavolitshme vendos që në vitin 1936 së bashku me familjen e tij të largohet nga Trieshi dhe vendoset në fshatin Dallashaj afër Gjakovës. Megjithatë, ai kurrë nuk e harroi vendlindjen dhe nuk e shiti shtëpinë as pronat e tij të shumta. Me të vendosur në Kosovë, bie në kontakt me burrat e ndritur dhe personalitete të shquara atje. Në fillim qëndron te Shaban Polluzha, njërin ndër komandantët më të njohur të zonës së Drenicës gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilin e kishte kumbarë, bashkëluftëtarë e mik. Më pas njoftohet me Ndue Përlleshin me të cilin vëllazërohet ( bëhet probatin) dhe inkuadrohet në grupin e tij luftarak si njëri ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe më besnik të tij.
Ai menjëherë u inkuadrua në Ballin Kombëtar dhe pati fatin të njihej, të luftojë e të veprojë përkrah këtyre figurave më të ndritura të kombit të asaj periudhe, e dhjetëra atdhetarë të tjerë të cilët bënë emër e lanë nam me qëndresën dhe luftën e zhvilluar për lirinë e Kosovës. Ka qenë pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e cila i zhvilloi punimet më 16-22 shtator 1943.
Martinë Lucë Prenkoçaj bashkë me Ali Binakun e Becit, Xhemë Sadrinë e Cërmjanit (udhëheqës), Rrustem Delinë e Becit e pjesëtarë të tjerë të Ballit Kombëtar, të gjithë të armatosur, në tetor të vitit 1944, ranë në pritë të çetniko-partizanëve në fshatin Gërçinë (Has). Komunistët shqiptarë me yllin pesë rrëmbesh dhe uniformën jugosllave pasi e rrethuan fshatin kërkuan nga shqiptarët për t’i dorëzuar armët gjoja se tani vendi ishte i çliruar dhe armët nuk kanë pse të mbahen nga populli. Por, trieshjani (malësor) me mustak të zezë dhe plis të bardhë nuk pranoi në asnjë mënyrë që t’ua dorëzojnë armët komunistëve jugosllavë dhe u tha: “Na hala nuk jemi çliruar. Brigadat e çetnikëve po bëjnë kasaphane në Drenicë, Shale e Bajgore. Ju mund të ktheheni nga keni ardhur sa nuk ua kam këput me duart e mia, se për të gjallë nuk i dorëzojmë armët deri në çlirim dhe bashkim kombëtar”.
Burri nga Trieshi i mbeti besnik fjalës së tij dhe besës së dhënë Shqipërisë, se deri në çlirim dhe në bashkim kombëtar, nuk do ta lëshojë pushkën nga dora. Pas pak ditësh nga 19 luftëtarë që kishin qenë, 16 ishin vrarë në vend. Martin Lucë Prenkoçaj , duke luftuar heroikisht për Shqipërinë Etnike , kishte vdekur rrugës nga plagët e marra. La gruan e re, Drane Gjushën Pecaj me të cilën ishte martuar në vitin 1926 dhe 4 fëmijë jetimë, dy djem, Zefin dhe Kolën si dhe dy vajza, Mrinë dhe Lenën.
Në vitin 2012 u vendos Memoriali – Lapidari me 33 dëshmorë në fshatin Zhdrellë të Becit të Dushkajës, në mesin e tyre është edhe Martin Luca. Komuna e Gjakovës e nderoi këtë dëshmor të popullit në vitin 2018. Rruga në Qërim mbanë emrin e tij.
Ky vlerësim është nder dhe krenari jo vetëm për familjen e tij, por edhe për Trieshin, Malësinë dhe krejt shqiptarinë. Lufta heroike e Martin Prenkoçajt për liri dhe mëvetësi duhet t’u shërbejë brezave të ardhshëm si shembull sesi duhet t’i duam dhe t’i mbrojmë tokat shqiptare nga zaptimet e pushtuesit të huaj. Përpjekja, kontributi dhe sakrifica e tij sublime do të mbeten të përjetshme në historinë e popullit shqiptar.