Me vendim të formës së prerë, Naser Kelmendi është liruar sot nga akuzat për trafikim të drogës, një shtetasi të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Gjykata e Apelit ka shpallur sot aktgjykimin lirues ndaj Kelmendit.
Kelmendi, i cili ishte dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim para katër muajsh me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Aktgjykimi ishte shpallur në mungesë të të akuzuarit.
Gjykata Themelore e kishte shpallur fajtor Kelmendin për posedim të paautorizuar të narkotikëve me qëllim të shpërndarjes së tyre. Në pikat e tjera të aktakuzës, që përfshinin akuza për krim të organizuar dhe vrasjen e Ramiz Delaliqit – shtetas i Bosnjës – shkalla e parë e gjykatës e kishte shpallut të pafajshëm Kelmendin.
Sot, Gjykata e Apelit e ka liruar Naser Kelmendin edhe nga akuza e vetme për të cilën ishte dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim nga Themelorja: prodhimi i paautorizuar dhe vënia në qarkullim e narkotikëve.
Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.
Prokuroria pretendonte se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq- “Çelo”, në vitin 2007.
Për vrasjen e Delaliqit, sipas Prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, ka bërë një sërë takimesh në Sarajevë, me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë, për të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për të vrarë, Ramiz Delaliq.
Prokuroria pretendonte se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit, për kryerjen e kësaj vrasje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë Strahinja Raseta dhe Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.
Tutje, sipas aktakuzës, së paku nga viti 2000 deri më 2012, Naser Kelmendi si kreu dhe drejtuesi i grupit të gjerë kriminal të strukturuar dhe të organizuar, ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine, ekstazie, spind dhe droga të tjera, nëpërmjet një rrjeti të organizuar kriminal të themeluar mirë, që përfshinte dëshmitarin K1- përgjegjës për menaxhimin dhe përzierjen e narkotikëve për Naser Kelmendin, K2, i cili ka udhëhequr dërgesat ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, K3-shpërndarës i drogës në Beograd, Liridon Kelmendin, menaxher i shpërndarjes së drogës për në Serbi dhe për në vendet tjera evropiane, Mehanoviq Haris – vozitës dhe truprojë, Sead Akeliq – vozitës, Zelko Boziq – automekanik, i cili krijonte hapësira të fshehta në automjete për drogat, Hakija Kreliq që mbante kontakte në Turqi, Ilir Kastrati – që mbante kontakte në Turqi, Asmir Kalac – koordinator i dërgesave të drogës, dhe të tjerë.
Prokuroria pretendonte se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë, ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll dhe Droga e marrë në Stamboll u transportua përsëri përmes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës dhe më pas u dërgua dhe iu shit tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën.
Naser Kelmendi akuzohej se në bashkëkryerje me Kl, K2, K3, Liridon Kelmendi, Haris Mehanovic, Sead Akeljic, Zeljko Bozic, Hakija Krlic, Iljier Kastrati, Asm_jr Kalac dhe të tjerët pa autorizim, kanë kultivuar, prodhuar, përpunuan ose përgatitën substanca, të deklaruara si droga të rrezikshme narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose ofrimit të tyre për shitje.
Kelmendi, i lindur në Pejë, është shtetas i Bosnjë e Hercegovinës dhe fillimisht ishte arrestuar më 2013 nga Policia e Kosovës, bazuar në një urdhërarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet boshnjake.
Më 2012, Departamenti amerikan i Thesarit identifikoi Kelmendin nën Aktin për bosët e narkotikëve të jashtëm si një trafikant i lëndëve narkotike.