Policia e Kosovës e ka arrestuar Afrim Gashin, i dyshuar për tjetërsimin e pronës në Veternik në vlerë mbi dhjetë milionë euro përmes dokumentit të falsifikuar.
“Policia e Kosovës, respektivisht Sektori për Hetime Financiare nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), me datë 25.08.2023 ka zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente me ç’rast është realizuar kontroll në dy lokacione të ndryshme, në një shtëpi dhe në një lokal, nën dyshimin se janë shfrytëzuar për përpilimin e dokumenteve të falsifikuara”, ka njoftuar Policia.
Prokurorja e rastit, Nebahate Salihu e ka konfirmuar se bëhet fjalë për pronën në Veternik.
“Betimi për Drejtësi” kishte hulumtuar se si një pronë në Veternik dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, duke kaluar në emër tani të ndjerës Z.H. dhe më pas prona ka kaluar të djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe po hetohet.
I dyshuari është ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes se rreme”, “Mashtrim”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Policisë, hetimi lidhur me këtë rast ka filluar bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë pas dyshimeve të bazuara se i dyshuari Afrim Gashi në bashkëveprim me të dyshuarin Ylber Hyseni, i cili gjendet në arrati, kanë falsifikuar dokumente dhe dyshohet se kanë arritur të tjetërsojnë një parcelë me sipërfaqe prej 9 (nëntë) hektarësh me vlerë të përafërt të tregut rreth 10,000,000.00 euro (dhjetë milionë euro), me ç’rast të njëjtit pasi që kanë bartur pronat në emër të tyre i kanë parcelizuar dhe më pas i kanë shitur ato tek personat e tretë duke i mashtruar.
“Lidhur me rastin gjatë kontrollit të kryer në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: 1 (një) pistoletë, 1 (një) karikator me 9 (nëntë) fishekë, 50 (pesëdhjetë) fishekë, 2 (dy) pistoleta me gas, 4 (katër) pushkë ajrore, 2 (dy) llaptopë, 1 (një) shtëpizë kompjuteri, 1 (një) telefon celular, 5680 (pesëmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë) euro para të gatshme, 685 (gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë) dollar amerikan, 100 (njëqind) franga zvicerane, si dhe rreth 500 (pesëqind) dosje të lëndëve të ndryshme në brendësi të të cilave kishte: Fletë poseduese, autorizime, kopje të planeve, historik të pronave, harta kadastrale (kryesisht të Regjionit të Prishtinës), vendime, kontrata të ndryshme të noterizuara të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.
Ndryshe, kjo pronë, dyshohet se iu është marrë familjes Sadiku përmes manipulimeve dhe dokumenteve të falsifikuara, për çka tashmë janë hapur hetime ndaj të dyshuarit Ylber Hyseni, i cili sipas burimeve brenda Prokurorisë gjendet në arrati dhe gjykata ka lëshuar urdhërarrest për të.
Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “mashtrimi”, për çka edhe ishte kërkuar sekuestrimi i pronës së paluajtshme.
Përmes këtij hulumtimi, tregohej se si Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, për të njëjtat parcela kishte zhvilluar disa procedura gjyqësore në të njëjtën kohë dhe për lëndën e Nexhat e Gursel Sadikut kishte vendosur pas 7 vjetësh, ndërsa në rastin e Z.H vetëm për 9 muaj, duke e bërë edhe pronare të këtyre parcelave.
Familja Sadiku kishte thënë se kjo pronë është e tyre për gati një shekull dhe se përmes ekspertizave kanë gjetur se dokumentet me të cilat Z.H. i kishte kaluar në emër të saj janë të falsifikuara dhe se përmes vendimeve të kundërligjshme atyre u janë marrë rreth 3 hektarë tokë në Veternik, vlera e të cilëve kapë shifra të mëdha. Sipas tyre, të përfshirë në këto dallavere janë zyrtarë e persona me ndikim, duke përfshirë gjykatës, prokurorë, policë, avokatë si dhe zyrtarë të tjerë.