Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rrezarta Krasniqi e LDK-së: Në Dubravë po shkojnë njerëzit e afërt me Kurtin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, i ka quajtur të papranueshme ndërhyrjet e pushtetit në sistemin e drejtësisë.

Krasniqi tha se në tri vitet e fundit ka pasur shumë arrestime të njerëzve të afërt me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, duke thënë se në Burgun e Dubravës po shkojnë vetëm njerëzit e afërt me të.

“Prej tash e tri vite sa po i bën kjo qeveri, kemi pasur shumë arrestime sa i përket njerëzve të afërm të kryeministrit Kurti. Ju e dini se nëpër fushata gjithmonë ka qenë ajo deklarata e tij se ‘Burgu i Dubravës do të rritet për disa kate’ dhe tash po shohim që po shkojnë vetëm njerëz të afërm të kryeministrit Kurti, siç është miku i tij Ridi e deri te asamblisti i VV-së në Prishtinë, i cili u arrestua me substanca narkotike”, tha Krasniqi.

Ndërsa për sa i përket situatës në veri, ajo tha se pret që shtensionimi të bëhet me dorëheqje të kryetarëve aktualë.

“Unë mendoj dhe do të ishte e rrugës që kryetarët aktualë të dorëhiqen, mos të bëhet peticioni, për arsye se merr kohë më shumë dhe kjo situatë duhet të zgjidhet sa më shpejt. Të dorëhiqen kryetarët sepse e dimë se si janë zgjedhur, janë zgjedhur në mënyrë demokratike por nuk ka pasur masë të madhe të votuesve. Ata do duhej të dorëhiqen dhe të dalin të deklarohen se si janë marrë vesh në Marrëveshjen e Bratislavës”, u shpreh ajo./EkonomiaOnline