Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kosova dyndet drejt plazheve shqiptare, 36 mijë persona kaluan Morinën në 24 orë

Qytetarët nga Kosova dynden drejt Shqipërisë për pushime. Ata kanë zgjedhur bregdetin shqiptar edhe në këto ditë të fundit të muajit gusht.

Kjo ka shkaktuar fluks lëvizjesh në Rrugën e Kombit mëngjesin e kësaj të shtune. Kolona e automjeteve arriti deri në 6 km, ndërsa drejtuesve të mjeteve iu desh deri në 30 minuta për të kaluar.

Situata ishte më problematike në urën mbi lumin Drin. Aty herë pas here trafiku u bllokua përkohësisht.

Sipas të dhënave nga Dogana e Morinës, vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë në vendin tonë rreth 36 mijë qytetarë nga Kosova me 10,200 mjete.

Në këtë doganë policia operon me kalimin e udhëtarëve pa kontroll, bazuar në marrëveshjen e dy qeverive me qëllim shmangien e radhëve.

Qytetarët nga Kosova e zgjedhin Shqipërinë veçanërisht për bregdetin, ndërsa vizitojnë edhe zona të tjera turistike.

Sipas të dhënave nga autoritetet, kosovarët janë të parët në listën e personave që frekuentojnë vendin tonë gjatë sezonit të verës.