Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti për Nënë Terezën: Fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori të shtunën pjesë në hapjen solemne të edicionit të tretë të manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Drita e Gonxhes”, e njëkohësisht ka bërë homazhe te shtatorja e Nënë Terezës, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

“26 gushti i sivjetëm na ka bashkuar sot në qendër të Prishtinës dhe na ka mbledhur këtu në sheshin Nënë Tereza, për më tepër pranë shtatores së Nënë Terezës, për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor ‘Drita e Gonxhes’”, e nisi fjalën e tij para të pranishmëve kryeministri Kurti, i cili më pas foli për biografinë e Nënë Terezës.

Ai theksoi se 26 gushti është data e saj e lindjes, kurse 27 gushti është data e pagëzimit të saj nga Don Zef Ramaj.

Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ka lindur sikur sot, plot 113 vite më parë, më 1910 në Shkup, atë botë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës. Ishte vajza e Nikollë Bojaxhiut, i lindur në Prizren në një familje të ardhur nga Fani i Mirditës dhe i nënës Drane Barnaj nga Novosella e Gjakovës. Vajzë shqiptare e një patrioti, e cila lindi në periudhën osmane dhe që ishte fëmijë kur vendi i saj u pushtua nga fqinjët, gjatë Luftës së Parë Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Pas vdekjes së babës Kolë kur ajo ishte pothuajse 9 vjeçare, Anjeze Bojaxhiun e rriti nana Drane, sikur edhe vëllain dhe motrën e saj, Lazërin dhe Agen.

Pasi foli për biografinë dhe rrugëtimin e saj, kryeministri tha se personi Anjeze Gonxhe Bojaxhiu vdiq 87 vjeçare, më 5 shtator 1997, por figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre.

Duke uruar që aktivitetet e këtij manifestimi të shkojnë mirë dhe mbarë si këtu në Prishtinë, ashtu edhe në Shkup e në Tiranë, Kurti tha se shpreson që “Drita e Gonxhes” të përhapë dritë nga shembulli që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza dha me jetën e saj për njerëzoren e secilit ndër ne.