Në muajin korrik të vitit 2023, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 937 familje me gjithsej 82 mijë e 621 anëtarë, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 25 mijë e 88 familje me gjithsej 98 mijë e 832 anëtarë, vërehet një rënie e numrit të familjeve përfituese nga kjo skemë për 4 151 ose 16,5 për qind.
Kështu ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Rënie e përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë
Në muajin korrik 2023, krahasuar me muajin korrik 2022, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore (-20,6%); skema për pensionet e Trepçës (-18,2%); skema për pensionet familjare (-8,9%); skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës (-3,1%); skema e pensioneve bazike të moshës (-2,0%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,7%); skema për veteranët e luftës (-0.2%).
Në muajin korrik 2023, krahasuar me muajin korrik 2022 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: Skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (14,8%); skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (10,6%); skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik (7,6%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (5,3%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (4,9%); skema e kompensimeve për personat e verbër (4,3%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,4%).