Kultivimi i bimëve vajore në Kosovë, luledielli, cilësohet si kulturë me rëndësi strategjike, por fermeri i kësaj kulture bujqësore, Skënder Ademi nga Ferizaj produktin final e ka të dedikuar për eksport për shkak të mungesës së fabrikave përpunuese në Kosovë.
Për këtë, fermeri Ademi ka kritikuar institucionet e shtetit për mos krijimin e kushteve që këto produkte të përpunohen në vendin tonë.
Sfidë për fermerin ferizajas mbetet edhe mos ekzekutimi i subvencioneve me kohë nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.
Fermeri Ademi që ka të mbjella mbi 120 hektarë me luledielli kërkoi nga Ministria e Bujqësisë që Kosova të ketë një fabrikë të lulediellit, sepse sipas tij prodhimi i Kosovës duhet të mbetet në Kosovë e jo të eksportohet jashtë saj.
“Këtë e eksportojmë në fabrikën e vajit në Maqedoni, këtu nuk kemi ku e pasojmë, është një fabrikë në Gjilan, mirëpo nuk e kanë sistemin e shtrydhjes por e kanë gjysmë të përpunuar. Kisha bërë apel nga Ministria e Bujqësisë pasi ndihmesat janë të mira nga Ministria e Bujqësisë, sa i përket subvencioneve dhe gjitha tjerave mirëpo me e bërë një pikë shtrydhëse ku lulediellin e kishim ndal në vend, ky me u përdor në Kosovë e jo me dalë në një shtet tjetër”, tha Ademi.
Përveç kësaj, ai thotë se eksporti jashtë Kosovës ka edhe shumë vështirësi doganore.
“Kemi pas vështirësi me eksportua këtë produkt pasi që duhet transportin ta bëjmë vet, kalon në shumë procedura doganore dhe laboratore të ndryshme si tek ne si në anën e Maqedonisë Veriore, po lutem të del mirë dhe të vazhdojmë me mbjellë lulediellin. Dhe kryesisht të lëmë në vend këtë produkt me luledielli që mbjelljet të konsumohen nga qytetarët këtu”, është shprehur Ademi.
Në anën tjetër, fermeri Ademi nga Ferizaj ankohet se Ministria e Bujqësisë nuk ka alokuar mjetet financiare për subvencione me kohë.
Ai tregon edhe për sfidat me rendimente.
“Ishte dashur që subvencionet me i pranuar para se me filluar me punën, d.m.th. ajo kultura gjatë rrugëtimit me i pas edhe subvencionet se ndoshta e kishim punuar tokën më mirë, kishim pas mjete për plehërim më shumë të tokave ose mbrojtje adekuatë më bërë. Bujqësia i ka gjithmonë ato sfidat e veta, ka vite p.sh, ndoshta këtë vit na nxjerr luledielli dhe misri, sa i përket grurit kemi punuar me humbje nuk kemi fitim fare, rendimentet i kanë qenë të ulëta, e tash kur ka misër, grurë dhe luledielli tash njëra kulturë e zëvendëson kështu që dalim faqebardhë në fund vitit”, shtoi Ademi.
Fermeri nga fshati Bibaj, Ademi është shprehur se këtë vit kulturat pranverore kanë reflektuar negativisht për shkak të lagështisë së tepërt në tokë nga reshjet e shumta të shiut, ndërsa theksoi se edhe luledielli është i mbjellë një muaj me vonesë.
“Kemi pas ngecje në mbjellje si të misrit si për krejt kulturat pranverore, ndërsa tek gruri edhe ka reflektuar negativisht rendimentet, kështu që me grurë nuk kemi qenë të kënaqur fare. Rendimenti ka qenë shumë i përgjysmuar shkaku i lagështisë së tepruar, tani njëkohësisht është transferuar kjo në kultura pranverore afati për me mbjell lulediellin është nga 10 prill deri në maj, ose pjesa e parë e majit ne nuk kemi mundur me startua (nis) deri me 12-13 maj. Kështu është një muaj ditë me vonesë”, tha Ademi.
Sipas ministrisë së Bujqësisë, sipërfaqet e mbjella me lulediellin këtë vit janë rreth 300 hektarë ose rreth 250 hektarë më shumë se vitin e kaluar.