Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci ka komentuar deklaratën e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.
Koci thotë se lëvizja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mund të përshpejtohet nëse Serbia fokusohet si bllokuese e këtij procesi.
“Serbia ka probleme me Bosnjën dhe me këtë problem e bllokon Bosnjën. Tash ka filluar të ketë probleme me Malin e Zi. Ka ndërhyrje të hapur ndaj Malit të Zi, e bllokon Malin e Zi. Para pak ditësh dëgjuam edhe për kërcënime ndaj Maqedonisë, mos të flas për Kosovën. Prandaj unë mendoj se lëvizja e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të shpejtohet nëse Brukseli qartë e fokuson Serbinë si shkaktare të bllokimit të kësaj lëvizjeje. Në këtë variant këto pesë vende tjera do të mund të lëvizin. Ndryshe nëse mbetet ai përkushtimi për përfshirjen e të gjashtave njëkohësisht, ajo jo në vitin 2030 por ajo nuk mund të realizohet në bindjen time as në vitin 2050”, ka thënë Koci..
Tutje ai ka shtuar se Serbia po afrohet gjithnjë e më shumë drejt Lindjes, duke përmendur edhe iniciativën për t’iu bashkuar organizatës BRICS.
“ShBA dhe BE janë duke bërë përpjekje maksimale për ta kthyer Serbinë nga Perëndimor, por Serbia është duke lëvizur në drejtim të Lindjes. Zakonisht thuhet se Serbia luan me dy letra: me njërën këmbë në Perëndim e me tjetrën në Lindje. Unë nuk mendoj ashtu. Unë mendoj se ata janë me dy këmbët në Lindje, në Moskë. Këtë e dëshmuan javën e fundit në Athinë ku refuzuan që në deklaratë të përfshihej kërkesa për sanksionim të Rusisë dhe ai formulim u hoq. Refuzuan që Putini të përmendej si i ndjekur nga Gjykata Ndërkombëtare për krime ndaj njerëzimit. Edhe ai formulim u hoq”, ka deklaruar Koci.