Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka konfirmuar se në shtator do të ketë takim të nivelit të lartë në Bruksel.
Këtë e bëri të ditur pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Bled të Sllovenisë.
“Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, ka thënë Lajçak.
Kryeministri Kurti, pas takimit që zhvilloi me Lajçak, ka shprehur nevojën për marrëdhënie të mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor.
Ai njoftoi se me Lajçak kanë diskutuar për mundësinë e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që Marrëveshja Bazë në mes të dyja vendeve të gjejë zbatim.