Ashtu si ishte paralajmëruar se shtatori do jetë muaj i zhvillimeve, aktiviteteve dhe takimeve në lidhje me procesin e dialogut, prej të cilit kërkohen përparim edhe zbatim të marrëveshjeve, ashtu duket se do ndodhë, i dërguari special Lajçak ditë më parë paralajmëroi takime në rajon lidhur me dialogun, ndërsa presione ndaj dialogut dhe çështjes së Kosovës janë paralajmëruar edhe nga Vuçiq.
Burime mediale kanë konfirmuar se sot në Beograd do qëndrojnë kongresmeni amerikan Majkell Tarner dhe i dërguari special i BE-së Miroslav Lajçak, të cilët do kenë takime të ndara me presidentin e Serbisë, lidhur me procesin e dialogut, zbatimin e marrëveshjeve dhe takimin e mundshëm të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, shkruan “Kosovo-online”, transmeton “Bota Sot”.
Sipas zyrës së presidencës serbe, Vuçiq në ndërtesën e Sekretariatit në ora 10.00 do pres kongresistin amerikan Tarner, ndërkohë në pasdite do takohet me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Lajçak.
Siç është raportuar, i dërguari special Lajçak dje në Forumin e Bledit, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës Kurti, që e ka vlerësuar si shumë të frytshëm dhe si përgatitje për takimin e radhës në nivelin e lartë.
Lajçak ka thënë se temë primare e bisedës në takimin me Kurtin ishte përgatitja e takimit të nivelit të lartë në kuadër të normalizimit të raporteve mes dy vendeve si dhe zbatimin e deklaratës evropiane të 3 korrikut.