Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Daçiq në Forumin e Bledit: Më mirë të na thoni se Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE

 
   

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në Forumin Strategjik “Bled 2023” që po mbahet në Slloveni, ka përmendur rastin e ndodhur në Tetovë, ku gjatë një tubimi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është valëvitur flamuri “Autochthonous”.

Ngjarja ka ndodhur më 11 gusht të këtij viti, kur mysafir në këtë qytet ishte kryeministri Kurti, i cili në fjalimin e tij porositi që Maqedonia e Veriut të qëndrojë sa më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë e sa më larg Serbisë.

E ministri serb teksa e kujtoi këtë rast tha se “kur Prishtina hap ambasadë në Jerusalem, kjo është normale apo nuk e thoni këtë, apo kur valëviten flamuj të ‘Shqipërisë së Madhe’ në Tetovë është normale, apo askush nuk duhet ta shpjegojë këtë”.

“Unë e respektoj këtë, por nga gjashtë përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, katër janë shqiptarë. Tirana, Prishtina, Osmani nga Maqedonia e Veriut dhe Dritan Abazoviqi nga Mali i Zi, ndërsa ju flisni për ndikimin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Daçiq.

Ai tutje ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të tregojë se çfarë saktë duhet të bëjë Serbia që të integrohet në BE.

Sipas tij, është më mirë është të thuhet se “Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE”.

“Na thoni se çka saktë duhet të bëjmë. Kam qenë në këtë storjen e integrimeve evropiane, 100 herë e kam dëgjuar këtë. ‘Rrëzojeni Millosheviqin’, mirë, e rrëzojmë. ‘Arrestojeni Millosheviqin’, mirë, u arrestua. ‘Arrestojeni Karagjiqin’, u bë”.

“Kosova dhe Bashkimi Evropian janë dy rrugë të ndryshme. Thjesht na tregoni se çka duhet të bëjmë? A besoni se mjafton ajo që thuhet për kriteret? Nuk mund të jemi kaq naivë. Edhe Shqipëria i ka 100 për qind në pajtim standardet me BE-në, por ende nuk po ecën. Ndoshta më mirë të thuhet se Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE”, ka deklaruar Daçiq.