Deputeti nga radhët e LVV, Mefail Bajqinovci në një prononcim për “Bota sot”, ka folur në lidhje me paraqitjen e kryeministrit në Samitin e Bledit në Slloveni si dhe “përplasjen” e tij me kryeministren serbe Ana Branbic.
Bajqinovci u shpreh se paraqitja e kryeministrit ka qenë e shkëlqyer dhe se kryeministri kësaj radhe ja ka dalë që si asnjëherë tjetër të artikulojë pozicionin politik të shtetit tonë.
“Paraqitje e shkëlqyeshme, patjetër. Jo thjeshtë për anën e shpjegimit me saktësi milimetrike të pozicionit të drejtë të Kosovës në sfidën rajonale dhe të sigurisë me Serbinë por se kryeministri kësaj radhe ja ka dalë që si asnjëherë tjetër të artikulojë pozicionin politik të shtetit tonë se ne, Serbisë, për karakterin e saj diabolik, hibrid por thellësisht destruktiv, nuk mund t’i paguajmë ne asaj më shumë duke bërë koncesione”, u shpreh ai.
Më tej, ai thekson që me këso argumentesh pozicioni i Kosovës do të kuptohet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare.
“Jemi të bindur se me këso argumentesh nga politikanë të pakorruptueshëm, pozicioni i Kosovës do të kuptohet e mirëkuptohet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare”, përfundoi Bajqinovci për “Bota sot”.