Deklarata e Klinakut për vrasjen e Kurtit, Konjufca: Kjo është kërcënim i hapur ndaj Kryeministrit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka parë si kërcënim të hapur ndaj kryeministrit Albin Kurti, deklaratën e ushtruesit të detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.
Ai tha se deklarata e Klinakut se “më parë e vret Albin Kurtin sesa e lëshon Kosovën”, është e papranueshme.
“Unë mendoj që ishte një shprehje shumë e papranueshme aq më tepër që vjen nga një personalitet i cili përfaqëson një shoqatë kaq të respektuar. Që të folen fjalë të tilla është me të vërtetë e papranueshme. Ne e dimë secili se çfarë përfaqëson. Albin Kurti është kryeministër i Kosovës, është zgjedhur me votat e qytetarëve të Kosovës, atë e kanë zgjedhur të zgjedhurit e popullit të Kosovës dhe e ka legjitimitetin e plotë si kryeministër i Kosovës”, ka thënë Konjufca para gazetarëve.
Kryetari i Kuvendit tha se deklarata është kërcenim i hapur dhe si e tillë është e papranueshme.
“Të dalësh me deklarata të tilla me të vërtetë ndaj një qeverie që e ka legjitimitetin e plotë nga ana e popullit, sepse populli ka menduar që kjo është zgjidhja më e mirë është e papranueshme në një shtet që është demokratik. Kur thu që jemi demokraci atëherë ka gjykata, sundim të ligjit, ka çfarë është dallimi ndaj lirisë së shprehjes dhe se çfarë është kërcënimi. Unë mendoj që kjo absolutisht nuk mund të kategorizohet fjala e z.Kliniku në liri të shprehjes. Kjo nuk kishte fare të bënte me liri të shprehjes dhe kjo është kërcënim i hapur për kryeministrin e Kosovës dhe si e tillë është e papranueshme”, tha tutje ai.